Telegrafi

Rama i gëzohet medaljes së parë olimpike të Shqipërisë: Fillimi i një historie që do të sjell fryte

Shqipëria ka arritur të sigurojë për herë të parë në histori një medalje në Lojërat Olimpike, me mundësi Chermen Valiev, që mori medaljen e bronzit.

Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që suksesin e Valievit nuk ia faturon vetëm atij, por edhe kreut të KOKSH, Fidel Ylli.

“Medalja e Parë Olimpike në historinë tonë është një lajm që flet shumë për punën e Komitetit të Rilindur Olimpik Shqiptar nën drejtimin e Fidel Yllit; për të vërtetën që Shqipërisë jo nuk i ikin më talentet sportive të lindura këtu, po talente të lindura gjetkë e zgjedhin si atdheun e dytë për t’u stërvitur në kushte optimale e për t’u ngjitur në majat e botës me flamurin kuqezi; si edhe për fillimin e një historie të re, që në vite do të sjellë fryte të tjera të gëzueshme falë lëvizjes masive sportive për fëmijët dhe investimeve masive në palestra e në infrastrukturë sportive që do të vazhdojnë! FALEMINDERIT KAMPION”, ka shkruar Rama.

Shqipëria mund ta marr edhe një medalje të bronztë, pasi nesër (e diel) do të garojë Islam Dudaev i cili arriti që në gjysmëfinale ta mposht iranianin Amouzadkhalili./Telegrafi/