Në studion e emisionit “Opinion” edhe një herë Edi Rama ka kërkuar ndjesë publike përballë banorëve të Kukësit, lidhur me tarifën e vendosur për qarkullimin aty.
Rama ka pohuar se qeveria është konsultuar me një institucion si IFC.
“Nuk u informuan qytetaret, u neglizhuan…”, ka thënë ai.
“Pjesa më problematike për të cilën kam kërkuar ndjesë publike dhe mbajmë përgjegjësi përballë banorëve dhe opinionit që është shqetësuar me të drejtë. Është përgjegjësi e jona direkt.
Një strategji komunikimi do duhej të ishte ndërtuar duke pasur parasysh edhe faktin që ka pasur shumë dezinformim, manipulim dhe përpjekje për të nxitur zjarrin, dhe në kuptimin jo vetëm simbolik. Kjo ka ndodhur në një boshllëk, të lënë prej nesh”, u shpreh Kryeministri.
Por, I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, nëse qytetarët nuk do shkonin në protestë, a do ta pranonin gabimin, Rama është përgjigjur:
“E vërteta është që ne kemi pasur një mangësi për të cilën mbajmë përgjegjësi. Ne qysh prej fundit të muajit shkurt kemi ngritur një grup pune për të adresuar problematikën e banorëve, adresuar në kontratë”, tha Rama.