Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ka raportuar para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së.
Gjatë raportimit të tij, Rama ka thënë se FSK është institucioni më i besueshëm në Kosovë.
“Që 7 vite kemi dal institucioni më i besueshëm. 10 për qind i kemi nga minoritetet, Kemi arritur që ti integrojnë edhe 37 pjesëtare të komunitetit serb. Nga presionet që kanë ardhur nga shteti serb kanë dal 70 pjesëtarë serb. Angazhimin e rezervave kemi pas edhe vitin e kaluar. Kemi pasur operacione brenda dhe jashtë vendit”, tha Rama.
Rama ka thënë po ashtu se bashkëpunimi mes FSK-së dhe KFOR-it, është i jashtëzakonshëm.
Komandanti i FSK-së, më tej ka treguar se mosha mesatare në FSK është 35-37 vite, mirëpo me rekrutimet e reja që do të bëhen kjo do zvogëlohet.
Duke folur për numrin e atasheve, Rama ka thënë se aktualisht janë 7 të tillë në vende të ndryshme dhe plus dy që janë në procesin e akreditimit.
“Ne do ta bëjmë edhe një riorganizim të brendshëm të korit të atasheve. Aktualisht kemi atashe në Bruksel, Uashington, Londër dhe vende tjera”, ka thënë Rama.
Ai ka folur edhe për aplikantët e rinj ku ka thënë se nuk do të ketë ndasi në bazë të regjioneve .
“Për mua çdo aplikantë është i Kosovës, Ushtria është e Kosovës dhe ata do t’i shërbejnë Kosovës. Çdo aplikantë që i plotëson kriteret do të jetë pjesë e FSK-së”, tha gjeneral Rama.
Duke folur rreth numrit të femrave që janë pjesë e FSK-së, Rama theksoi se aktualisht përfaqësimi i tyre është mbi 8%.
“Për rekrutë të rinj janë afro 500 femra që kanë aplikua, edhe këtu secila që do t’i plotësoj kriteret do të pranohen”, tha Rama. /Telegrafi/