Site icon Telegrafi

Rama flet si President i Këshillit të Sigurimit të OKB-së: Ta bëjmë botën më të vogël për shkelësit e ligjit

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot fjalim në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, pasi Shqipëria mori për herë të parë Presidencën e Këshillit të Sigurimit.

Deklarata e mbajtur përpara kryesimit të mbledhjes së parë, u fokusua kryesisht te lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj.

“Ky është vetëm fillimi i Presidencës shqiptare të Këshillit të Sigurimit dhe menjëherë sjellim tashmë për diskutim në Këshill një çështje të rëndësisë së lartë, llogaridhënien. Pas pak minutash do të kem nderin dhe kënaqësinë të kryesoj në emër të Presidencës shqiptare një debat të hapur për forcimin e llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtarë. Zbatimi i së drejtës ndërkombëtare dhe i Kartës së OKB-së, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe mbështetja e sistemit të OKB dhe i veprimit shumëpalësh janë në zemër të politikës së jashtme shqiptare e po kështu janë përparësitë kryesore të mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë kryeministri Rama.

Kryeministri Rama tha se pasojat shkatërrimtare të luftës në Ukrainë ka shkaktuar edhe pasiguri ushqimore që mund të çojnë në një uri të pashembullt, duke bërë nevojën për një llogaridhënie më efektive, një çështje kyçe për Kombet e Bashkuara dhe vendet e saj anëtare.

“Lufta e Rusisë në Ukrainë që paraqet sfida e kërcënime të shumëfishta për mbarë botën, e ka përforcuar edhe më tej këtë nevojë. Vënia përpara përgjegjësisë për krimet, për shkeljet masive, përshi llogaridhënien e individëve në kuadër të së drejtës penale, është kyçe për të rivendosur besimin e publikut tek drejtësia dhe tek institucionet e sigurisë përfshirë Këshillin e Sigurimit dhe për të ndërtuar sundimin e ligjit dhe një paqe të qëndrueshme”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se çështja e llogaridhënies mbetet në qendër të masave kolektive të bashkësisë ndërkombëtare për të zmbrapsur aktet e agresionit dhe se objektivat e sotme në debat janë të trefishta.

“Së pari, të rritet roli i bashkësisë ndërkombëtare për të vënë para përgjegjësisë shtete dhe ato që veprojnë për llogari të tyre për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare. Së dyti, të forcohen mekanizmat e llogaridhënies jo vetëm në nivel shtetëror, por po kështu në atë rajonal dhe ndërkombëtar. Së treti, ta orientojmë vëmendjen te viktimat, të përcaktojmë të vërtetën për krimet ndërkombëtare dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut dhe shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare është thelbësore për të vënë në vend të drejtat dhe dinjitetin e viktimave dhe të afërmve të tyre. Është po kështu kritike për të çuar më përpara paqen dhe pajtimin”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se autorët e krimeve nuk mund të lihen të lirë, andaj është e rëndësishme që të punojmë së bashku në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e objektivat e Kombeve të Bashkuara siç sanksionohen në kartën e OKB-së.

“Llogaria efektive do të kontribuojë për paqen, pajtimin dhe rritjen e sigurisë për të ndërtuar demokracinë në nivel lokal, rajonal, global e për ta mbrojtur dhe për të nxitur të drejtat e njeriut kudo. Duhet të bëjmë gjithçka mundemi që ta bëjmë botën gjithnjë e më të vogël për shkelësit duke përdorur mjetet dhe mekanizmat e llogaridhënies përmes drejtësisë. Pandëshkueshmëria duhet të mbetet histori”, ka thënë Rama.

Nga 1 qershori, për një muaj, Shqipëria do ta kryesojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kjo është hera e parë që vendi merr një rol të tillë në këtë organizatë ndërkombëtare, pasi që u përzgjodh që të jetë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së këtë vit.

Exit mobile version