Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një komunikim online në faqen e tij zyrtare në “Facebook” ka thënë se përveç transportit publik dhe mjediseve të tjera kulturore dhe sportive në qendrat e mbyllura, të gjithë aktivitetet e tjera do të jenë të hapura duke nisur nga dita e hënë.
“Në faktikisht nga e hëna, përveç transportit publik, aktiviteteve sportive dhe kulturore në mjedise të mbyllura dhe argëtuese nuk do të kemi asgjë tjetër të mbyllur”, tha Rama.
Shefi i qeverisë tha se me strategjinë e hapjes janë shtuar edhe numrat e personave të prekur me COVID-19.
Ai ftoi qytetarët që të tregojnë vigjilencë, ndërsa kërkoi prej tyre të luajnë rolin e patriotit dhe këtë ta bëjnë për shëndetin e tyre dhe për shëndetin e të gjithë qytetarëve.
“Siç e keni parë nga informacionet e ministrisë së Shëndetësisë, sot ministrja u detyrua të dalë në konferencën e përditshme që informojnë mbi situatën e covidit ,pikërisht për të lëshuar një mesazh: që numrat po lëvizin. Jemi të vetëdijshëm që numrat lëvizin, sepse rritet ekspozimi, por lëvizja e numrave nëse do të vazhdojë kështu, do të jetë me probleme. Në këtë fazë, secili prej nesh, secili prej jush është vendimtar. Sjellja në raport me rregullat është deçizive, sepse në kushtet e hapjes nuk është më një çështje ekskluzive e policisë apo inspektorëve, por është më shumë se sa të gjitha këto bashkë është çështje e vetëdijes dhe sjellja qytetare. Është patriotizëm të mbrosh shëndetin tënd dhe të tjerëve, prandaj ky është patriotizmi sot”, shtoi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se ende nuk ka ardhur momenti i duhur për të hapur lëvizjen e transportit publik, pasi sipas tij, ky aktivitet ka risk të shtuar për përhapjen e pandemisë COVID-19.
“Pra hiq transportin publik, hiq baret dhe restorantet në mjedise të mbyllura, hiq palestra, teatrot, kinematë apo klube nate apo lokale lodrash për fëmijë, gjithçka tjetër do jetë e hapur”, theksoi ai.