Telegrafi

Rama flet gjatë fluturimit drejt Kukësit: Shqipëria me turizmin më të zhvilluar në rajon deri në vitin 2030

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se e sheh turizmin si të ardhmen e vendit dhe se Shqipëria do të shndërrohet në vendin me turizmin më të zhvilluar në Ballkanin Perëndimor deri në 2030-ën.

Në një intervistë të publikuar sot por të kryer gjatë një fluturimi me avion nga Tirana drejt Kukësit me aeroplanin e kompanisë WizzAir disa ditë më parë, Rama ka shtuar se heqja e takës së kufirit do të ulë më tej çmimet e biletave të fluturimeve në vend.

Në intervistën e publikuar në faqen e tij në Facebook, Rama ka thënë se Aeroporti i Kukësit, përveç zhvillimit qe sjell në Shqipëri, ka një rëndësi të veçantë rajonale duke shërbyer edhe për qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Lexo po ashtu Kompania ajrore Wizz Air ul avionët e parë në Aeroportin e Kukësit, ofron 4 fluturime drejt Evropës

Rama ka thënë gjithashtu se përveç Aeroportit të Kukësit do të ndërtohet edhe Aeroporti i Vlorës, që siç u shpreh Kryeministri, me shumë gjasa mund të jetë edhe më i madh se Aeroporti “Nënë Tereza”.

Po kështu, edhe Saranda do të ketë një aeroport që do të jetë vetëm sezonal, ka shtuar Rama. /Telegrafi/