Site icon Telegrafi

Rama falënderon dibranët

Partia Socialiste (PS) i është rikthyer takimeve me mbështetësit e saj në Dibër, për t’i falënderuar ata për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e së dielës, për kandidatin e PS-së Muharem Rama që u shpall fitues ndaj Sherefedin Shehut të PD-së me mbi 4 mijë vota diferencë.

Kryeministri Edi Rama i është rikthyer premtimit për ‘plagën’ e vjetër të dibranëve; Rrugën e Arbrit. Ai tha se Qeveria që e drejton nuk dëshiron që të bëjë të njëjtat gabime si paraardhësja e Partisë Demokratike me borxhet.

“Ne nuk duam të bëjmë gabimet e Partisë Demokratike që të marrim borxh pas borxhi. Ne duam të ulim borxhin. Por unë ju them vetëm kaq, Rruga e Arbrit do të ndërtohet dhe puna do të fillojë para zgjedhjeve të ardhshme”, deklaroi ai.

Rama kritikoi qëndrimin e Partisë Demokratike pas shpalljes së rezultatit. “Si ka mundësi që një parti t’i kthehet dhe të akuzojë një popull të tërë si bagëti që dalin nga parcela e hashashit dhe jo njerëz dhe shqiptarë që morën një vendim? Si ka mundësi që partia më e madhe e opozitës të arrijë deri në këtë pikë pasi e shpall me të madhe një test kombëtar një fushatë vendore, pasi premton që nga këtu do të fillojë një përmbysje e madhe në Shqipëri, edhe pasi madje shpall fitoren në momentin kur mbyllen kutitë e votimit?! Pasi sheh që nga numërimi merr vetëm ‘opingën e Sheros’, u turret dibranëve për t’i akuzuar si bashkëpunëtorë në krim. Është fyer i gjithë komuniteti juaj dhe tradita juaj e çmuar”, deklaroi Rama.

Nga ana e tij, kryebashkiaku i sapozgjedhur, Muharem Rama tha se fitorja e thellë i shton më shumë përgjegjësi.

“Rezultati më shton përgjegjësitë dhe më shtyn edhe më fort që ta bëjmë Dibrën ashtu siç e meriton. Gjatë fushatës më kanë thënë trafikant e gjëra të tilla, unë vetëm kam shëruar dibranët, plagët e Dibrës”, deklaroi kryebashkiaku Rama.

Në takim marrin pjesë deputetë dhe drejtues të tjerë të Partisë Socialiste që u angazhuan në fushatën për zgjedhje vendore për këtë bashki. /Top Channel /Telegrafi/

Exit mobile version