Telegrafi

Rama: Emigrantët në Shqipëri, teorikisht e mundur praktikisht e vështirë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për gazetën “Wall Street Journal”, ku ka konfirmuar edhe një herë qëndrimin e tij për krizën e refugjatëve. Aty ka theksuar se Shqipëria është një vend i vogël, por kjo nuk do të thotë se duhet të ndërtojë mure se i kërkojnë të tjerët.

Rama ka shprehur kritika për menaxhimin që po i bëhet kësaj krize nga Evropa dhe shprehu gatishmërinë që Shqipëri të marrë përgjegjësitë e veta.

Rama ka thënë se teorikisht është e mundshme një fluks i emigrantëve drejt Shqipërisë.
“Praktikisht është e vështirë. Nuk ka rrugë të lehta për të ardhur në Shqipëri dhe për të gjetur më pas një shteg për në Evropën e Veriut”, ka thënë Rama.

I pyetur nga gazeta se si do t’i përgjigjej Shqipëria një fluksi potencial, Rama ka thënë se nuk i pëlqen që të flasë me nëse.

“Por, sigurisht ne kemi bërë përgatitjen tona. Kapacitetet e vendit janë shumë modeste dhe nuk do të mjaftojnë për t’i bërë ballë një fluksi të konsiderueshëm. Ne jemi gati për t’iu bashkuar çdo përpjekjeje evropiane dhe ky ka qenë pozicioni ynë edhe kur Shqipëria nuk ishte as destinacion teorik”, ka thënë kryeministri shqiptar.

Rama ka thënë se Shqipëria nuk po punon për ndërtimin e mureve.

“Ne jemi një vend i vogël krenar dhe nuk do të ndërtojmë mur (thjeshtë) sepse të tjerët na e kërkojnë. Ne gjithashtu e dimë se as hapja e kufijve nuk do ta zgjidhë problemin”, ka thënë ai.