Pak ditë më parë, emisioni investigativ italian “Le Iene” solli vuajtjet e fëmijëve të Bulqizës, që detyrohen të lënë shkollën dhe të punojnë për të siguruar jetesën e tyre duke mbledhur krom.
Fill pas kësaj, kryeministri Edi Rama bëri një vizitë në këtë qytet, për t’u thënë se ishte i zhgënjyer nga gazetarët e “Le Iene” pasi, sipas tij, “edhe ata janë pjesë e kazanit mediatik, duke gënjyer dhe postuar imazhe të vjetra”.
Sot ka ardhur edhe reagimi i gazetares Alice Martineli, që ishte në Bulqizë dhe realizoi reportazhin me fëmijët që punojnë për të mbledhur krom, për 200-300 lekë në ditë.
Martinelli thotë se fotot i ka bërë në 14 tetor të 2017.
“Dikush është bezdisur nga shërbimi ynë për fëmijët shqiptarë që mbledhin krom. Edi Rama, kryeministri shqiptar, gjatë një paserele para kamerave thotë se Le Iene është ‘një program plehrash’ dhe na akuzon se kemi realizuar ‘një reportazh m… me pamje të vjetra, mbi një fenomet që nuk ekziston më’.
I dashur kryeministër Edi Rama, e kuptoj që reportazhi ynë nuk ju ka pëlqyer, por për diçka duhet të jeni i qetë: Është xhiruar midis 14 e 17 tetorit 2017, as një muaj më parë. Nëse pamjet që keni parë nuk ju mjaftojnë (në 90 për qind të tyre shfaqem unë, si mund të jetë shërbim i vjetër?), kemi të gjitha provat që e demonstrojnë: filmime e fotografi me data, kuponë e fatura nga qëndrimi ynë.
Por më thoni, meqënëse mund t’jua demonstrojmë që gjithçka është e vërtetë dhe aktuale, ju tani do të bëni diçka për fëmijët e Bulqizës dhe familjet e tyre? Sepse ne i pamë me sytë tanë teksa mbledhin gurë për t’i shitur më pas me 10 centë kilogrami.
Ashtu siç pamë që, kur bie nata, një pjesë e qytetit është krejtësisht në errësirë. Dhe që kushtet strukturore dhe higjienike të disa shtëpive janë të tmerrshme.
Ju çfarë mendoni të bëni?
Alice Martinelli”, ka thënë ajo. /mapo/