Site icon Telegrafi

Rama e Haradinaj bëjnë më të vështirë bashkëpunimin Kosovë – Shqipëri

Përplasjet ndërmjet dy kryeministrave, atij të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë vënë në një pozitë jo të mirë marrëdhëniet mes dy shteteve, thonë analistë të çështjeve politike dhe ekspertë të ekonomisë.

Ishte kryeministri i Shqipërisë, Rama, ai i cili kishte deponuar një padi për shpifje në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Haradinaj. Tema për të cilën filluan polemikat ndërmjet dy kryeministrave, ka të bëjë me çështjen e shumëpërfolur për ndarje, korrigjim apo shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Haradinaj, në disa raste, publikisht e kishte fajësuar Ramën se po e mbron dhe po punon për realizimin e idesë për ndarjen e Kosovës. Por, së fundmi, deklaratat e tij janë pasuar me kundër-reagimin e Ramës përmes ngritjes së padisë për shpifje ndaj Haradinajt.

Analisti i çështjeve politike, Artan Murati, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë e quan fatkeqësi situatën kur dy kryeministrat shqiptarë janë në procedura ligjore kundër njëri-tjetrit.

Sipas tij, kjo po dëshmon më së miri se përveç që nuk ka bashkëpunim shtetëror të mjaftueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ka thellim të madh në çështjet dhe mënyrat se si i shohin proceset politike liderët e dy shteteve.

“Ndonëse ka pasur një lloj bashkëpunimi të mëhershëm mes qeverisë së Haradinajt dhe kryeministrit Rama në Shqipëri, madje duke u takuar edhe në takimet e përbashkëta të qeverive të të dyja shteteve, por në momentin kur kanë dalë në publik disa tema politike, për të cilat Rama dhe Haradinaj kanë shprehur qëndrime të kundërta, këtu kanë filluar përplasjet që nuk kanë mbetur vetëm përplasje personale, por të cilat kanë kaluar në nivel të kabineteve qeveritare”.

“Mjafton të shihet edhe koha kur është mbajtur mbledhja e fundit mes të dy qeverive dhe kjo përkon shumë me kohën kur ka qenë shumë aktuale tema e shkëmbimeve të territoreve, ku kanë qenë edhe qëndrimet e ndryshme të dy eksponentëve që kanë pasur pozitën e kryeministrit”, thotë Murati.

Qeveritë e dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, kanë filluar mbajtjen e takimeve të përbashkëta që nga viti 2014.

Deri më tani janë mbajtur pesë takime, në të cilat janë nënshkruar marrëveshje të shumta të bashkëpunimit. Qëllimi i marrëveshjeve, si nga Prishtina ashtu edhe nga Tirana, është thënë se është një qeverisje e përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik.

Përplasjet ndërmjet dy kryeministrave, thotë eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, do të kenë pasoja në bashkëpunimin ekonomik dhe në bashkëpunimin, në përgjithësi, ndërmjet dy vendeve.

“Askush nuk ka besuar që një ditë një kryeministër i Kosovës do të ballafaqohet në gjykatë me një kryeministër të Shqipërisë. Unë mendoj që faji kryesor në këtë rrafsh është i Edi Ramës (kryeministër i Shqipërisë) që e ka një qasje paternaliste ndaj Kosovës”.

“Është fatkeqësi që prodhuesit nga Kosova deklarojnë se më lehtë eksportojnë në Zvicër sesa në Shqipëri, për shkak të barrierave tarifore dhe jotarifore dhe taksës rrugore që unë e quaj një gjobë që iu vihet qytetarëve që vizitojnë Shqipërinë. Këto e kanë sjell nivelin e bashkëpunimit në shkallën më të ulët që njeh historia e shqiptarëve ndonjëherë”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Në vitin 2018, Qeveria e Edi Ramës pati vendosur taksën rrugore, e cila varësisht peshës së automjeteve varion nga 5 deri në 22.5 euro në autostradën “Rruga e Kombit”.

Analisti Artan Murati thotë se përplasjet mes dy kryeministrave nuk do të duhej të ndikonin në raportet mes dy shteteve.

“Ajo çka duhet të kihet parasysh, edhe pse ka ndonjë konflikt individual mes politikanëve në Kosovë dhe Shqipëri, kjo nuk do të duhej të përkthehej në ngrirje të raporteve apo përkeqësim të raporteve në nivel institucional dhe shteteve, meqenëse individët janë të përkohshëm në ato pozita dhe kjo nuk duhet të dëmtojë bashkëpunimin e gjithëmbarshëm të dy shteteve mes Kosovës dhe Shqipërisë”, thotë ai.

Kosova dhe Shqipëria tani e sa vite synojnë ta heqin kufirin mes dy vendeve, me qëllim të lehtësimit të procedurave të kalimit të njerëzve dhe mallrave, por kjo ende nuk është jetësuar.

Por, kjo ishte margjinalizuar pas nismës rajonale për Mini-Shengenin ballkanik, nismë kjo e cila ka tensionuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë pasi që Kosova nuk kishte pranuar të jetë pjesë e kësaj iniciative për aq koha sa Serbia nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur. /REL

 

Exit mobile version