Site icon Telegrafi

Rama e falënderon Scholzin për Procesin e Berlinit: Platforma kryesore për bashkëpunim në Ballkan

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka falënderuar kancelarin gjerman, Olaf Scholz, për kthimin e Procesit të Berlinit, duke thënë se është platforma kryesore për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor.

Me rastin e Kongresit të Partisë Socialdemokrate në Gjermani, Rama ka thënë se Procesi i Berlinit është vetëm një nga sukseset e kancelarit Scholz në Ballkan.

Ai tutje është shprehur se Shqipëria do të mbetet e përkushtuar ndaj këtij procesi.

Lexo po ashtu Kurti takohet me kancelarin gjerman Scholz në margjinat e kongresit të SPD-së

“Me rastin e Kongresit të SPD-së në Berlin, falënderoj sinqerisht kancelarin Olaf Scholz për udhëheqjen e tij. Procesi i kthyer i Berlinit është vetëm një nga shumë sukseset e miqve dhe aleatëve tanë në Berlin. Shqipëria do të mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj këtij procesi si platforma kryesore për bashkëpunimin e nivelit të lartë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar kryeministri shqiptar në rrjetin social “X”.

Pjesë e Kongresit është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që u takua me kancelarin Olaf Scholz të shtunën.

Kurti në një postim në “X” ka shkruar se takimi me Scholzin ishte i frytshëm.

“Kënaqësi të marr pjesë në kongresin e partisë SPD të këtij viti, ku pata një takim të frytshëm me kancelarin Olaf Scholz, duke nënvizuar forcën e marrëdhënieve tona dypalëshe dhe vizionin tonë të përbashkët si socialdemokratë që nxisin drejtësinë, përparimin dhe prosperitetin për qytetarët tanë”, ka shkruar kreu i ekzekutivit kosovar.

Ndërkaq, në një komunikatë të lëshuar më pas nga Kryeministria thuhet se Kurti dhe kancelari Scholz diskutuan mbi marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe, rëndësinë e integrimit në Bashkimin Evropian të Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, dhe vizionin e përbashkët si socialdemokrat për zhvillim, drejtësi sociale dhe mirëqenie në të dy vendet.

Ky ishte takimi i dytë bilateral ndërmjet kryeministrit Kurti dhe kancelarit gjerman Scholz këtë vit, nga katër gjithsej në dy vitet e fundit. /Telegrafi/

Exit mobile version