Shqipëria nuk është e rrezikuar nga ambiciet e një Kryeministri që don t’i kontrollojë të gjitha, por nga një ‘Piktor’ i dështuar dhe i frustruar që nuk mund ta kontrollojë vetveten.
Shqipëria u bë vend ku ka kush të vdes, por ku s’ka kush të të varrosë sepse aty është e turpshme të turpërohesh dhe pse thuajse çdo gjë në atë vend funksionon sipas logjikës: “Të gjithë qelbësirat tona, kundër plehut të tyre”.
Po pra, Shqipërinë nuk e dëmtojnë armiqtë e jashtëm, por patriotët e brendshëm të ‘Rilindjes’, të cilët atë e shohin si lopë të cilën duhet ta ushqejë populli, e ta mjelin ata.
Dhe, Shqipëria nuk vuan pse ajo nuk ka njerëz të ndershëm e të vlefshëm, por pse në atë vend, më e nderuar dhe më e paguar është një dele që për çdo natë del në televizor, sesa një mësues fshati që ka në dorë ardhmërinë e vendit.
Në Shqipëri kurrë nuk do ketë zgjedhje të parakohshme, sepse aty çdo gjë është e jashtëkohshme dhe nuk i takon as të sotmes, as të ardhmes e as të shkuarës, por pashpresës.
Dhe, problemi i Shqipërisë nuk janë vetëm elitat e gjithëllojshme tona të korruptuara, por edhe të gjithë ne që nuk shohim se mëmëdheu është shndërruar në një atelie ku ‘Piktori’ i ndërron brekushet e veta dhe ku prej moti e ka hapur ‘ekspozitën’ e pandjeshmërisë sonë të turpshme ndaj fatit kolektiv.
Andaj, problemi më madhor i Shqipërisë nuk është pse atë nuk e do Evropa, por pse ‘Piktori’ e bëri atë shtet që të mos e duan edhe shqiptarët. Dhe, andaj Shqipëria do vazhdojë të mbetet vend kryesisht i banuar nga të pakënaqurit, por të cilët nuk e kanë kuptuar se pakënaqësia dhe revolta që nuk shndërrohet në veprim, përfundojnë ose në vajtim, ose në nënshtrim, se aty ku pakënaqësia mbetet vetëm lotëderdhje dhe vuajtje e heshtur, njeriu ose pajtohet të jetojë me të keqen, ose ndërmerr atë që bëjnë të rinjtë e mëmëdheut: ikin nga hapësirat ku sundojnë vrastarët e shpresës, ku fatin e të ndershmëve e përcaktojnë hajdutët dhe kriminelët dhe ku, njerëzit pajtohen që të keqen e sotme, ta arsyetojnë e ta mbulojnë me fatkeqësinë e djeshme!