Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar ndaj lajmit për ardhjen e një tërmeti shkatërrues, duke thënë se një idiot apo disa syresh së bashku, përhapën një Fakenews kriminal për ardhjen e një tërmeti shkatërrues dhe kallën mbrëmë panikun në shpirtin e shumëkujt prej qytetarëve të Shqipërisë.
Rama duke folur për menaxhimin që kanë bërë pas tërmetit, ka thënë se sot kanë vendosur që prindërit e fëmijëve më të vegjël dhe nxënësve të nëntëvjeçares në zonat më të prekura nga goditja sizmike, t’i çlirojnë nga detyrimi për të ardhur në zyra e në vendet e tyre të punës në administratën shtetërore, në mënyrë që ata të rrinë edhe një ditë të plotë me fëmijët e tyre, për të cilët dita e çerdhes, kopshtit e shkollës u bë ditë pushimi.
“Sot për Shqipërinë nis një ditë e zakonshme si të gjitha të tjerat dhe prandaj edhe unë, vendosa të rimarr udhëtimin e punës për në Nju Jork, ku do të takohem me Presidentin e Shteteve të Bashkuara e me të tjerë kryetarë shtetesh e qeverish apo personalitete me rëndësi, si edhe do të flas në emër të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara”, ka shkruar ai.
Shkrimi i plotë:
Miqtë e mi,
jam thellësisht i revoltuar, që një idiot apo disa syresh së bashku, përhapën një Fakeneës kriminal për ardhjen e një tërmeti shkatërrues dhe kallën mbrëmë panikun në shpirtin e shumëkujt prej jush! Po njëkohësisht, jam thellësisht i keqardhur, që shumë prej jush, ranë pre e asaj ligësie të pashoqe, të prodhuar e shpërndarë me shpejtësi, nga marrëzia e kujt verbërisht kërkon sherr, rrëmujë, kaos mundësisht, për arsyet e panjerëzishme të Mosarsyes.
Tërmeti që ra mbi Shqipërinë, tronditi qindramijëra familje, por fatlumësisht nuk mori asnjë jetë dhe dëmet e tij, që krahasuar me të tjera vende përreth, për të njëjtën shkallë Rihter e të njëjtat ballë në epiqendrën fare pranë Durrësit, mund të kishin qenë katastrofike, ishin të thuash pak, minimale. Lekundjet e mëpastajme, me të cilat u arrit deri në spekullimin çnjerëzor të mbrëmjes së djeshme, ishin sipas të gjithë ekspertëve, krejt brenda normës së procesit të stabilizimit të pllakave tektonike.
Si asnjëherë më parë, strukturat e shtetit reaguan menjëherë edhe falë riorganizimeve të qenësishme të bëra vitet e fundit; që nga sistemi i ri i Urgjencës Kombëtare, deri tek sistemi ende në reformim e sipër i Emergjencave Civile. Protokollet spitalore të gjendjes së emergjencës u aktivizuan në çast dhe përgjigja e krejt stafit të bluzave të bardha, megjithëse në një ditë pushimi të fundjavës, ishte mbresëlënëse. Skenarët e ndryshëm të financimit të krizës së mundshme, ishin gati vetëm pak orë pas goditjes së fortë sizmike dhe kontaktet me partnerët ndërkombëtarë u morën në kohë rekord, në nivelet më të larta e si asnjëherë më parë.
Ministrat, deputetët, kryebashkiakët e të gjithë vendit, prefektët në krye të shtabeve të emergjencave, u vunë në lëvizje si kurrë ndonjëherë më parë, për të bërë më të mirën nga ana njerëzore në radhë të parë, për familjet e prekura më shumë. E përsëris, dëmet janë minimale dhe pa lidhje me panikun maksimal që krijoi goditja dhe ushqeu më pas, papërgjegjshmëria haluçinante e një sërë burimesh (diz)informacioni.
Gjithçka ka kaluar si s’ka më mirë, në krahasim me ç’mund të kishte qenë dhe jeta vazhdon po njësoj; askush s’e di çfarë na rezervon fati apo natyra, sepse siç nuk ka mundur të parashikojë dot tërmetet, dija njerëzore s’ka mundur ende të parashikojë kohëzgjatjen e jetës sonë. Por ne çohemi çdo mëngjes e vazhdojmë rrugën e jetës, pa menduar se atë ditë mund të na ndalë zemra dhe biem të flemë çdo natë, pa menduar se mund të mos e shohim ditën tjetër. E pra, po aq absurde sa mund të duket të jetosh nga mëngjesi në mbrëmje me idenë e fundit të jetës, është edhe frika se nga momenti në moment, mund të bjerë tërmet.
Padiskutim, s’ka asgjë jonjerëzore në absurdin e frikës që pason përvojën traumatike të një goditjeje sizmike, prandaj edhe pjesa më e rëndësishme e rekuperimit të dëmeve, nis pikërisht nga solidariteti njerëzor me ata që janë prekur më shumë jo thjesht materialisht, po në radhë të parë psikologjikisht; pikërisht ky aspekt e ka bërë njerëzimin që ta kthejë globalisht në ndëshkim penal, kafshërinë e përhapjes së panikut në popull.
Prandaj edhe ne, u përpoqëm me gjithsej për të bërë më të mirën në planin njerëzor, si qeveri e si shumicë qeverisëse, duke vënë zemrën në funksion të familjeve më të prekura, përtej angazhimit të makinerisë shtetërore.
Prandaj edhe vendosëm që sot, prindërit e fëmijëve më të vegjël dhe nxënësve të nëntëvjeçares në zonat më të prekura nga goditja sizmike, t’i çlirojmë nga detyrimi për të ardhur në zyra e në vendet e tyre të punës në administratën shtetërore, në mënyrë që ata të rrinë edhe një ditë të plotë me fëmijët e tyre, për të cilët dita e çerdhes, kopshtit e shkollës u bë ditë pushimi.
Sot për Shqipërinë nis një ditë e zakonshme si të gjitha të tjerat dhe prandaj edhe unë, vendosa të rimarr udhëtimin e punës për në Nju Jork, ku do të takohem me Presidentin e Shteteve të Bashkuara e me të tjerë kryetarë shtetesh e qeverish apo personalitete me rëndësi, si edhe do të flas në emër të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.
Duke e ndërprerë udhëtimin dy ditë më parë dhe duke u kthyer me urgjencë në Tiranë, unë as do të parandaloja ndonjë tërmet e as do të bëja ndonjë çudi që pa mua nuk bëhej dot. Por plotësova boshllëkun e një mungese, e cila në planin njerëzor do të ishte e pajustifikueshme në raportin e zemrës me njerëzit që më kanë besuar detyrën e lartë. Tanimë është momenti, që secili të jetë aty ku është më i vlefshëm gjatë ditës së saponisur dhe teknologjia, vërtetë s’na ka dhënë ende asnjë shans të parashikojmë tërmetet, por na ka dhënë mundësinë fantastike që edhe mijëra kilometra lart në ajër apo matanë oqeanit, të jemi vetëm një klik larg zyrave ku drejtohen punët e vendit.
Kështu që nga zyra ime online në mrrokllën e zezë, për momentin në aeroportin e Stambollit, ku sapo po nisem për Nju Jork pasi erdha mbrëmë vonë me Air Albania-n, po ju le këtu këtë shënim përpara “Mirëmëngjesit” tradicional të orës 08.00. /Telegrafi/