Telegrafi

Rama: Berisha bllokoi interkonjeksionin me Kosovën

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë replikuar ashpër mes tyre sot në Parlament për çështje të energjisë.

Berisha ka akuzuar Ramën se i ka zhytur shqiptarët në varfëri duke rritur çmimin e energjisë në një kohë që premtoi heqje të TVSH-së. Ai iu drejtua Ramës me pyetjen:”Ç’të keqe tjetër ti ke planifikuar t’u bësh shqiptarëve?”.

“Ç’të keqe tjetër ti ke planifikuar t’u bësh shqiptarëve, pasi erdhe në pushtet me mashtrime të paimagjinueshme duke përdorur praktikën e etërve të tu, iu premtove shqiptarëve heqjen e TVSH-së për energjinë, iu premtove legalizime falas; iu premtove atyre rrogën e 13-të dhe iu ule rrogat; iu premtove heqjen e TVSH-së për energjinë dhe rrite çmimin me 24 % dhe del këtu dhe thua nuk është rritur por është ulur. Ç’të keqe tjetër ke planifikuar t’u bësh shqiptarëve ti, që mblodhe kriminelë dhe qelbësira të të gjitha llojeve dhe i vure në piedestal të pushtetit dhe të qeverisë”, i tha Berisha Ramës.

Ndërkohë që kryeministri Rama i është përgjigjur Berishës, se ish-qeveria e djathtë e drejtuar prej tij, trashëgoi 540 milionë dollarë borxhe në sektorin energjetik, dhe inauguroi rrugët ende pa u përfunduar.

Rama përmendi edhe projektin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, për të cilën tha se qeveria Berisha nuk arriti ta përmbyllte, për arsye të errëta.

“KESH-in, ndërmarrjen publike kyç për sektorin, e lanë me 540 milionë dollarë borxhe të krijuara drejtpërdrejt nga vendimmarrjet tërësisht qorre të qeverisë. OST-në, një tjetër ndërmarrje kyçe të sektorit, e lanë me 20 milionë dollarë borxhe, duke e bërë të pamundur praktikisht përmbushjen e funksionit të saj si operator i tregut dhe i sistemit të transmetimit nga moshlyerja e detyrimeve ndaj shpërndarësit. Linjën e interkonjeksionit me Kosovën, dihet mirë historia, e lanë tërësisht të bllokuar, për arsye tërësisht të errëta; 150 milionë dollarë apo euro të humbura çdo vit nga vjedhja e energjisë elektrike. Kjo është gjendja e trashëguar”, tha Rama.

Nga 1 janari i këtij viti në Shqipëri ka hyrë në fuqi ligji i ri për energjinë, i cili i llogarit kilovatët e harxhuar jo me dy fasha (shtresëzime) si bëhej më parë, por me një çmim unik për të gjithë. Qeveria thotë se shtresat e varfra do kompensohen, por opozita përgjigjet se çmimi real i energjisë është rritur me 24 %.
Lidhur me linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, ndërsa ka folur më herët në media për këtë linjë, ka siguruar se deri në pranverën e vitit 2016, ajo do të jetë në funksion të plotë.

Në fakt ndërtimi i linjës interkonektive 400 kV të tensionit të lartë Kosovë-Shqipëri pritet të rrisë kapacitetet e transmetimit mes dy vendeve dhe rajonit, do të rrisë sigurinë dhe besueshmërinë e Kosovës dhe sistemit energjetik shqiptar, optimizimin e operacionit në dy sistemet për shfrytëzimin e burimeve të energjisë.

Për më tepër, ndërtimi i kësaj linje jep mundësi për bashkimin e dy tregjeve të energjisë elektrike dhe krijon kushte për efikasitet më të lartë të funksionimit të energjisë në përputhshmëri me kërkesat e BE-së. /KP/