Telegrafi

Rama: Asnjë centimetër i Teatrit nuk do të përdoret për zhvillim privat

Në një komunikim me gazetarët, kryeministri Edi Rama tha këtë të martë se asnjë centimetër i truallit të Teatrit Kombëtar nuk do të përdoret për zhvillim privat.

“Dhe për më tepër është përhapur dhe ka zënë vend fjala se trualli i Teatrit Kombëtar do të përdoret për zhvillim privat. Është e pavërtetë. Asnjë centimetër i truallit nuk do të përdoret për zhvillim privat. Zhvillimi privat vjen pas murit rrethues të Teatrit. Nëse ne do të ishim të interesuar për zhvillimin privat dhe jo për teatrin, do ta kishim të lehtë të fare që të qetësonim të gjithë këta. Do bënim kopjen e teatrit ekzistues në të njëjtët kufij, njësoj siç është sot dhe ishim në rregull. Por për çfarë arsye do ta bëjmë këtë? Ne kërkojmë shumë më tepër fond nga privati për ta këmbyer që është mbrapa teatrit dhe ku ka ferra, mbeturina të ish-dekorit të Bashkisë së Tiranës, teneqe, dhe fusin makina. Është truall pa vlerë, ndërsa vlera që ne kemi marrë është teatri. Këtu çështja është politike, këtu çështja është mediokritet dhe kapur pas asgjësë për të bërë zhurmë. Nuk kemi asnjë interes që të bëjmë zhurmë në rast se nuk kemi bindjen që e ardhmja nderohet sot dhe sot nuk mund të bëjmë diçka që të mos i vlejë të ardhmes”.

Kryeministri theksoi se godina aktuale e Teatrit Kombëtar është e degraduar në mënyrë të parikuperueshme.

“Zhvillimet e Teatrit Kombëtar janë shumë të vjetra dhe më vjen sinqerisht gati mirë edhe keq që vazhdon një debat për një temë që do duhet të ishte ezauruar në këndvështrimin tim 20 vjet më parë”, citohet të ketë thënë ndër tjerash Rama. /tvklan.al/