Platforma e bashkëqeverisjes, sipas Kryeministrit Edi Rama është mundësia e çdo shqiptari për të qenë pjesë e asaj që ai e quan “koalicioni i madh i njerëzve të këtij vendi”.
“Platforma Shqipëria që duam është arma e çdo shqiptari që e do Shqipërinë me shtet, punë, mirëqenie, kundër çdo zyrtari e nëpunësi që e pengon njeriun e zakonshëm në zgjidhjen e halleve e në përmbushjen shpresave e të ëndrrave të veta”, deklaron kryeministri.
Rama fton qytetarët që t’i bashkohen kësaj platforme, ku s’ka bindje e përkatësi dhe deklaron se përmes saj të gjithë do të marrin përgjigje për çdo ankesë dhe shqetësim apo pyetje që kanë.
Më 31 korrik nisën aplikimet për anëtarët e rrjetit që do të koordinojë platformën dhe Kryeministri Rama thotë se kanë qenë 800 aplikime që janë shqyrtuar nga një komision i posaçëm për të mbërritur tek përzgjedhja e 25 anëtarëve.
Kryeministri thotë se platforma do të ndihmojë qeverinë në përmirësimin e performancës së saj. /Telegrafi/