Site icon Telegrafi

Rama: Angazhimi i ushtrisë për shuarjen e zjarreve, meriton respekt e inkurajim

Rreth 1200 efektivë të Forcave të Armatosura janë të angazhuar në të gjithë Shqipërinë për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje gjatë operacioneve të efektivëve të FA-së për shuarjen e flakëve ndërsa janë kryer mbi 60 fluturime me helikopter.

“Angazhimi disaditor për shuarjen e zjarreve në Karaburun e jo vetëm, nga Forcat e Ushtrisë dhe trupat Rangers në terren meriton respekt e inkurajim, në një kohë kur shumë vende po përballen me kërcënimin e zjarreve”, shprehet Rama.

Ndërkaq, Gadishulli i Karaburunit mbetet e vetmja vatër serioze zjarri në vend ku flakët kërcënuan edhe bazën e Pashalimanit.

Lidhur me këtë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha sot se “falë punës së jashtëzakonshme të mbi 200 efektivëve të FA dhe punonjësve zjarrfikës të qarkut, kjo bazë e rëndësishme u mbajt jashtë rrezikut”.

Qendra e Emergjencave Civile është lajmëruar ditët e fundit për dhjetëra vatra zjarri, por koordinimi dhe ndërhyrja e menjëhershme e strukturave të emergjencave civile në nivel vendor dhe qendror ka bërë të mundur neutralizimin e tyre pa cenuar pasuritë natyrore apo zona të banuara./Atsh

Exit mobile version