Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku ishin të pranishëm edhe ambasadori amerikan Donald Lu dhe ajo e BE-së, Romana Vllahutin, tha se “ambasadorët i bien pragut të dëgjojë dera, por dera nuk është këtu”.
“Dera nuk është Partia Socialiste sepse ne këtu jemi të hapur për të realizuar reformën në drejtësi. Të ishte për ne, do të ishte e votuar. Erdhën këtu jo sepse duan qeverisjen e vendit, as për drejtimin e PS-së, por sepse përfaqësojnë SHBA-në dhe BE-në, që në nivelet më të larta janë të interesuar për këtë reformë sepse është reformë historike që është në interesin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të BE-së”, u shpreh Rama për mediat.
Në lidhje me kushtëzimet e opozitës, Rama tha: “Reforma nuk mund të kushtëzohet me asgjë. Sa i përket reformës zgjedhore, jemi të hapur për diskutime, negociata dhe për gjetje rrugësh që çojnë në zgjedhje sa më të mira dhe dinjitoze. Por ç’lidhje ka kjo me reformën në drejtësi? Është reforma në drejtësi ajo që ndihmon zgjedhjet. Kushtëzimet janë shprehje dobësie ose mungese vullneti në rastin më të keq. Reforma është me rëndësi historike dhe ka mbështetjen e të gjithëve, socialistë e demokratë bashkë. Është reformë që për 10 vjet të kemi një sistem dinjitoz drejtësie dhe të mund të hapim negociatat që këtë vit”.
Gjithsesi, Rama shtoi se ka bindjen “se reforma nuk do të vonojë dhe shansi fantastik për Shqipërinë nuk do të digjet”.
Në lidhje me heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima, kryeministri deklaroi: “Nuk komentoj vendimet e gjykatave, thjesht nënvizoj se në këndvështrimin tim, ai vendim është një arsye më shumë që të bëjmë një reformë të drejtë dhe reale në drejtësi”, raporton Top Channel, përcjellë Klan Kosova.