Përparim Rama, kryetar i zgjedhur i komunës së Prishtinës, ka bërë të ditur se Alban Zogaj do të jetë nënkryetar i kryeqytetit.
Këto deklarata ai i ka bërë pas pyetjes rreth ekipit që do ta ketë ai në drejtimin e komunës së Prishtinës.
“Është një nënkryetar që është i konfirmuar, ai është Alban Zogaj”, ka thënë Rama në Kanal 10.
Tutje ai nuk e ka komentuar emërimin e mundshëm të Blerand Stavilecit, duke thënë se ka shumë emra të mundshëm të cilët mund të jenë pjesë e ekipes së tij.
Ndërkaq, të mërkurën gjatë ditës, është raportuar për një bashkëpunim të mundshëm me PDK-në, ku si rezultat PDK do të ketë pozitën e nënkryetarit të Prishtinës.
Për këtë pozitë është përfolur sot emri i Blerand Stavilecit.
Por një gjë të tillë e kanë mohuar nga PDK.
“Krejt e pavërtetë”, kanë deklaruar shkurt nga PDK për Telegrafin.
Telegrafi ka provuar të kontaktoj edhe me LDK-në dhe Blerand Stavilecin për të parë nëse është i vërtetë ky lajm, por të njëjtit deri tash nuk janë përgjigjur.