Telegrafi

Raketat iraniane godasin ‘selinë e partisë kurde’ në Erbil të Irakut – raportohet për një të vdekur dhe dhjetë plagosur

Të paktën një person u vra pasi raketat e lëshuara nga Irani goditën ‘selinë e një partie kurde iraniane’ në qytetin Koye, afër Erbilit, kryeqyteti i rajonit autonom kurd të Irakut verior.

Sulmi i së hënës plagosi gjithashtu 10 të tjerë, sipas kryetarit të komunës së Koye, Tariq Haidari, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Agjencia iraniane e lajmeve Fars tha se Korpusi i Gardës Revolucionare (IRGC) kishte qenë pas sulmit, për të cilin tha se kishte në shënjestër “grupet terroriste” me raketa dhe drone.

IRGC ka nisur sulme ndaj bazave të opozitës militante kurde iraniane në rajonin kurd të Irakut verior që nga vdekja e gruas kurde iraniane Mahsa Amini më 16 shtator.

Vdekja e Amini, e cila ndodhi pasi ajo ishte arrestuar nga e ashtuquajtura policia morale e Iranit, ka çuar në protesta me javë të tëra.

Dhe Irani ka akuzuar militantët kurdë në Irakun verior për nxitjen e trazirave që kanë kapluar vendin. /Telegrafi/