Telegrafi

Raketa “rekorde” e SpaceX Falcon 9 u shpërbë pas arritjes në tokë

Raketa më e përdorur e SpaceX Falcon 9 më në fund ka arritur të përfundojë misionin e tij.

Bëhet fjalë për një raketë që është lëshuar 19 herë deri më tani dhe ka bërë histori kur përfundoi misionin e parë të drejtuar nga toka amerikane pas gati dhjetë vjetësh.

Falcon 9 me numër përforcues 1058 përfundoi misionin të shtunën kur dërgoi 23 satelitë Starlink në orbitë pas lëshimit nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida. Përforcuesi (booster) më pas u kthye dhe u ul në anijen me dron në Oqeanin Atlantik siç kishte bërë më parë. Megjithatë, gjatë rrugës për në bregdet, deti ishte i trazuar dhe frynte një erë e fortë, kështu që përforcuesi u përmbys dhe u copëtua. Një pjesë e madhe ka përfunduar në ujë.

SpaceX konfirmoi humbjen e përforcuesit dhe përmendi “erërat e forta dhe dallgët gjatë transportit” si arsyetim. Kompania shtoi se versionet më të reja të raketës Falcon 9 kanë “këmbë” të përmirësuara për ulje që lejojnë qëndrueshmëri më të madhe në kushtet e përmendura.

Ndryshe, përforcuesi 1058 ka pasur një karrierë të shkëlqyer, duke bërë fluturimin e parë në muajin maj të vitit 2020 kur astronautët e NASA-s, Doug Hurley dhe Bob Behnken udhëtuan në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS). Ishte hera e parë që SpaceX kishte dërguar astronautë në hapësirë dhe hera e parë që SHBA-ja e kishte bërë këtë që nga përfundimi i programit të anijeve hapësinore në vitin 2011, shkruan spaceflight.

Ishte gjithashtu fillimi i Programit Commercial Crew, në të cilin astronautët e NASA-s dhe kompanitë private përdorën shërbimet e SpaceX për transportin drejt dhe nga ISS.

Me 19 lëshime, ai ishte mbajtësi i rekordeve, ndërsa dy përforcues të tjerë fluturuan 17 herë secili dhe dy të tjerë kanë nga 15 fluturime secili.

SpaceX përdor përforcues të ripërdorshëm për aq kohë sa të jetë e mundur për të ulur kostot dhe për të rritur frekuencën e nisjes, duke krijuar kështu mundësi të reja për eksplorimin e hapësirës.

Humbja e përforcuesit 1058 është një nga problemet e rralla për SpaceX, pasi raketat e përsëritura të kompanisë kanë arritur rezultate të pabesueshme. Pas lëshimit të raketës Falcon Heavy, dy përforcues u ulën njëkohësisht.

SpaceX tani po zhvillon Starship, një raketë masive që mund t’i çojë njerëzit në Hënë dhe Mars. /Telegrafi/