Zjarret në rajonin e Tetovës kohëve të fundit po bëhet gjithnjë e më të shpeshtë. Më 21 dhjetor të vitit 2016, së paku dy hektarë tokë u përfshi në flakë nga faktori njeri. Intervenimi i zjarrfikëseve ishte i pamundur për shkak të terrenit jo të mirë, por ata mbetën në fshatin Gjermë, në pritje të ndonjë evakuimi të mundshëm të banorëve. Zjarri fatmirësisht pas disa orëve u shua nga temperaturat e ulëta. Ky nuk është rasti i vetëm i zjarreve në rrethinë të Tetovës.
Muajin e kaluar, ndodhi edhe një rast tjetër, por kësaj radhe piromanët ishin protagonistë të djegies së një makine të familjes Limani nga Tetova.
Shefi i Njësisë së Zjarrfikësve të Tetovës, Uka Aliti për TV 21 thas se kohëve të fundit janë shtuar rastet e zjarreve. Aliti nënvizon se organet e rendit duhet t’i qasen më seriozisht detyrës për targetimin e piromanëve.
Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës pohon se në të shumtën e rasteve shkaktar i zjarrit është faktori njeri. Sipas tyre, policia po punon në zbardhjen e këtyre rasteve.
Në bazë të kodit penal, shkaktimi i qëllimshëm i zjarreve në pyje paraqet vepër të rëndë për të cilën është paraparë dënim me burg prej 6 muajve deri 8 vite, varësisht nga vendi, përmasat e dëmit dhe pasojat e shkaktuara./Telegrafi/