Site icon Telegrafi

Rajoni me rreth një milion ndërtime pa leje

Drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, mori pjesë në Konferencën rajonale për vendbanimet Joformale në Kosovë.

Në këtë tryezë, ku marrin pjesë përfaqësues nga katër vende të rajonet – Shqipëri, Mal i Zi, Kosovë, Maqedoni, siç transmeton ATSH, Lame ka bërë një rezyme të punës së ALUIZNI-t që në momentin kur u hartua ligji për ndërtimet informale në vitin 2005 dhe ndryshimet që pësoi ligji gjatë ndërrimit të qeverive. Lame tha se ndaj edhe nuk ka vijuar procesi me hapa të shpejtë. Ai shprehu edhe njëherë vullnetin që ka kjo qeveri për ta çuar deri në fund këtë proces të rëndësishëm për formalizimin e ndërtimeve të ngritura pa leje.

“Janë rreth një milion ndërtime pa leje në rang rajoni. Është një pasuri e jashtëzakonshme, është një investim kolosal i qytetarëve të këtyre vendeve, i cili përgjithësisht është ende sot i pafutur në rrjedhat normale të zhvillimit, qoftë të zhvillimit ekonomik, qoftë të zhvillimit social, qoftë të dinjitetit njerëzor për këta njerëz”, tha Lame.

Rasti shqiptar, shtoi Lame, ka qenë paaftësi e shtetit për të kontrolluar dhe disiplinuar qytetarët e vet, të cilët në shumicën e rasteve kanë qenë dhe qytetarë në gjendje të mirë ekonomike.

“Rasti i Kosovës apo dhe raste të tjera të rajonit, janë përgjithësisht paaftësi financiare e qytetarit. Pra, shtete që janë në gjendje t’i orientojnë por qytetarë që nuk kanë para që të investojnë kështu mbeten të varfër apo të prapambetur, ndërkohë që Shqipëria ka qytetarë në gjendje të mirë ekonomike por shtet të paaftë t’i orientojë se ku duhet të ndërtojnë. Kjo kundërvendosje ka sjellë edhe situatën në të cilën jemi sot”, deklaroi Lame. /Telegrafi/

Exit mobile version