Site icon Telegrafi

Rajoni i Pejës brengë për policinë

Në një kumtesë për media të Policisë së Kosovës, thuhet se brengë për ta dhe vetë qytetarët që ia duan të mirën këtij vendi, janë armët pa leje në duart e qytetarëve, të cilat ende mbesim burim i rrezikut serioz për vetë ata dhe shoqërinë në tërësi.

“Posedimi i armëve në mënyrë të kundërligjshme nga ana e qytetarëve, në çdo kohë mund të paraqesë rrezik”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ky fakt, sipas tyre dokumentohet edhe në incidentet që kanë ndodhur në zonë, dhe incidentet e tilla mund të krijojnë shqetësim dhe ulin ndjenjën e sigurisë për qytetarët e vendit.

“Policia e Kosovës i ka kushtuar kujdes të veçantë planifikimit dhe realizimit të të gjitha veprimeve – operacioneve policore,projekteve dhe planeve të shumta operative,për të qenë prezent dhe sa më aktive në çdo pore të shoqërisë me të vetmin qëllim që misioni ynë të jetë i suksesshëm gjithmonë në shërbim të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia e Kosovës, thotë se ka plane të veçanta për konfiskimin e armëve ilegale dhe parandalimin e të shtënave me armë zjarri, plane këto në bazë të cilave Policia është duke vepruar pa ndërprerë në rajonin e Pejës.

“Policia e Kosovës bindshëm është duke vepruar dhe do të veprojmë pa ndërprerje dhe ndaj gjithë këtyre personave të cilët i kanë poseduar kundërligjshëm armët e cekura më lartë janë ndërmarrë masa adekuate ligjore në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë e shtetit. Rritja e besimit në Policinë e Kosovës, rritja e bashkëpunimit të qytetarëve me policinë e tyre, do të qojë në përforcimin e mëtejshëm të policisë dhe në të njëjtën kohë edhe në rritjen e efikasitetit dhe suksesit në punët policore dhe parandalimin e akteve kriminale”, thuhet në këtë njoftim të Policisë.

Ata thonë se do të bëjnë përpjekje të përbashkët me njësite të ndryshme policore, që qytetarët e rajonit të jenë më të sigurt dhe të mbretëroi situatë e qetë në mbarë zonën. /Telegrafi/
 

Exit mobile version