Agjenti Mino Raiola thuhet se ka mbërritur në Milano për të filluar bisedimet për të zgjatur kontratat e Gigio Donnarumma dhe Alessio Romagnoli.
Sipas mediumit La Gazzetta dello Sport, agjenti italian arriti dje (e enjte) në Milano për të diskutuar të ardhmen e klientëve të tij.
Kontrata e portierit skadon në fund të sezonit dhe raportet pretendojnë se Raiola dëshiron një klauzolë prej 30 milionë euro që të përfshihet në marrëveshjen e re të lojtarit nëse Milani nuk arrin të kualifikohet në Ligën e Kampionëve.
Në anën tjetër, kontrata e Romagnolit vazhdon deri në vitin 2022 dhe Raiola duket i etur të flasë për zgjatjen e marrëveshjes së tij me Rossonerët.
Drejtuesit e Milanit janë shumë të interesuar të rinovojnë me dy yjet e tyre dhe tashmë kanë bërë ofertat e para për rinovimin e tyre.
Momentalisht drejtuesit ofrojnë më pak sesa kërkojnë lojtarët dhe agjentët, por një marrëveshje rinovimi me të dy mund të arrihet në fund.
Donnarumma momentalisht fiton 6 milionë euro në sezon, ndërsa Romagnoli fiton 3.5 milionë euro. /Telegrafi/