Telegrafi

Raikkonen vendos rekordin në Barcelonë, Ferrari duket në formë

Ferrari nuk është rezervuar fare në testet e Barcelonës, teksa pas Vettel është Kimi Raikkonen që ndryshon rekordin e pistës.

Finlandezi në ditën e fundit të testeve dimërore përpara fillimit të kampionati të ri botëror, e uli kohën nën 1 minutë e 19 sekonda, duke e ndalur kronometrin në kohën 1.18.634.

Koha e realizuar nga piloti i Ferrarit erdhi në një xhiro me gomat “supersoft”, ndërsa në total Raikkonen realizoi 46 xhiro.

Koha e dytë më e mirë e regjistruar gjatë kësaj dite ishte ajo e Max Verstappen, me më shumë se 8 të dhjetat, ndërsa i treti u rendit Carlos Sainz me Toro Rosso.

Mercedesi kohën më të mirë e arriti me të ardhurin e fundit në skuadër, Valtteri Bottas që u rendit i katërti, por ai garoi me gomat “soft”, transmeton tch.

Vazhdon ndërkohë të zhgënjejë McLaren, me spanjollin Alonso që i ndërpreu 2 herë provat për shkak të problemeve teknike. Dy ndalesa ka patur edhe për francezin Grosjean me njëvendëshen Haas.