Kimi Raikkonen ishte autor i një prove zhgënjyese në Çmimin e Madh të Kinës, e frazat e drejtuesve të Ferrarit pas ndalesës aziatike ishin thuajse një “lamtumirë” para kohe për pilotin finlandez.
Ndërsa Sebastian Vettel mundohej të arrinte shkallën më të lartë të podiumit, nordiku zhdukej pas krahëve të Red Bullit, aq sa Bottas e mbylli garën pak para Raikkonenit, edhe pse e kishte komplikuar shumë paraqitjen.
Për një kampion bote që duhet të luajë si “sulmues i dytë” në një pistë të Formulës 1, kjo është pak që Ferrari të pretendojë të paktën titullin e konstruktorëve. Këtë verë, Vettel dhe Raikkonen dukeshin një dyshe fantastike në teste, por piloti finlandez tani numëron me gishta tentativat e parakalimit, madje edhe ato të dështuara, transmeton TCH.
Qëndrimi i Raikkonenit te Ferrari, i nisur në vitin 2014, ka qenë shpesh drejt përfundimit, por viti 2017 duket se do të jetë vërtet sezoni i fundit për një pilot 38-vjeçar dhe me kontratë që po i përfundon.
Kokëkuqja po lëviz prej kohësh për të gjetur një alternativë, duke shqyrtuar gatishmërinë e pilotëve të ndryshëm. Nëse Vettel do të rinovojë kontratën, në krah të tij po profilizohet Daniel Ricciardo.
Piloti australian me prindër italianë është përfolur dhe në të kaluarën për firmën me ekipin e ëndrrave. Mendimi kundër i Vettelit, që iku nga Red Bull edhe për shkak të konkurrencës, tani nuk konsiderohet më pengesë për Ricciardon 27-vjeçar, me potencial, por pa status dhe milionat e denja në kontratë.