Telegrafi

Raikkonen kërkon fitoren e parë sezonale, Vettel të thellojë diferencën në renditje

Getty Images

Vendi i parë dhe i dytë në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Monakos është vërtet një rezultat fantastik për Ferrarin, që nesër ka shansin të arrijë një “dopietë”, që mungon prej vitesh në Formula 1.

Kimi Raikkonen befasoi shokun e skuadrës Sebastian Vettel duke zënë vendin e parë.

“Këtu kemi shumë tifozë, që na mbështetën deri në fund dhe besoj se ua shpërblyem. Por tani na duhet të përtëritemi në garë, duke qenë të shpejtë në start dhe të mos bëjmë gabime me strategjinë. Mund ta mbyllim garën në këto pozicione edhe nesër”, është shprehur Raikkonen, që synon fitoren e parë sezonale me ‘kokëkuqen’, transmeton Telesport.

“Kimi bëri një xhiro të shpejtë, fantastike dhe e meritoi ‘pole’. Edhe unë mund të isha më i shpejtë, por në total ky rezultat i arritur sot në provat zyrtare ishte i shkëlqyer”.

“Jemi në vijën e parë dhe në Montekarlo kjo do të thotë shumë, pasi të parakalosh këtu është mjaft e vështirë. Duhet të bëjmë kujdes në start, për të mos përsëritur gabimin e Sochi”.

“Na duhet fitorja, na duhen pikët dhe është e rëndësishme ta mbyllim garën në dy vendet e para”, ka deklaruar Vettel, që ka shansin të fitojë nesër në Montekarlo dhe të thellojë diferencën në renditje me rivalët.