Në hotel “Victory” në Prishtinë u nënshkrua solemnisht marrëveshja për bashkëpunim edhe për një vit, ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe bankës Raiffeisen, e cila po e mbështet futbollin kosovar tash e pesë vite me radhë, raporton Sporti1.
Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri duke përshëndetur drejtorin e përgjithshëm të Raiffeisen Bank, Robert Wright me bashkëpunëtorë dhe të pranishmit falënderoi atë për bashkëpunimin e deritashëm.
“Dua të uroj në radhë të parë drejtorin për vitin jubilar të 10-të të punës mjaft të suksesshme të kësaj banke dhe të falënderoj për mbështetjen e madhe që i ka dhënë jo vetëm FFK-së por mbarë futbollit të Kosovës. Me këtë që pesë vite kanë përfituar klubet e futbollit, të cilat nuk kanë paguar kotizime vlera të cilave për pesë vite arrin mbi gjysmë milioni euro”, tha Vokrri. “Ne falënderojmë bankën Raiffeisen sepse na u ka gjetur në një kohë shumë të vështirë financiare. Vazhdimi i bashkëpunimit edhe për vitin e gjashtë flet se kemi punuar me korrektësi dhe respekt të ndërsjellë. Unë besoj fuqishëm se ky bashkëpunim do të zgjasë edhe më shumë”, tha ai.
Drejtori i përgjithshëm i Raiffeisen Bank, Robert Wright tha se kjo bankë është partner i FFK-së.
“Është gjithmonë kënaqësi për bankën Raiffeisen në Kosovë që të tregojmë përkushtimin dhe mbështetjen tonë ndaj përgjegjësisë korporative. Gjatë 10 viteve që operojmë në Kosovë, ne kemi përkrahur shumë projekte për disa vite me radhë. Një shembull është padyshim Federata e Futbollit e Kosovës, të cilën e përkrahim që pesë vite. Kam nderin që sot të vazhdojmë përkrahjen tonë ndaj FFK-së edhe për një vit”, tha ai.
“Raiffeisen Banka tashmë është partner i besueshëm në synimin e FFK-së që të pranohet në institucionet ndërkombëtare. Unë jam i vetëdijshëm që FFK-ja ka pasur sfida të ndryshme gjatë këtyre viteve, për shkak të kushteve jo të mira në stadiumet e futbollit dhe mungesës së përkrahjes financiare në nivel lokal dhe po ashtu për shkak të barrierave politike që e kanë shty procesin e pranimit të futbollit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar”.
“Përkundër këtyre barrierave dëshiroj të theksoj se gjatë këtyre viteve futbolli i Kosovës ka arritur shumë suksese në Kosovë dhe jashtë saj dhe me vjen mirë që Raiffeisen Bank në Kosovë ka kontribuar në këto suksese. Por, ne kemi edhe shumë sfida përpara dhe po ashtu ngritjen e standardit të futbollit të Kosovës, pjesëmarrja aktive e futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare vazhdon të jetë synim kryesor i FFK-së. Unë besoj që përkrahja dhe bashkëpunimi ynë gjatë këtyre pesë viteve dhe për vitet e ardhshme do të kontribuojë që FFK-ja të arrijë synimet e saj”, tha drejtori, Wright. /Telegrafi/