Telegrafi

Raiffeisen Lizing edhe në Kosovë

Aksionarë të kompanisë Raiffeisen Lizing në Kosovë janë Raiffeisen Bank në Kosovë e cila ka 70% të aksioneve dhe Raiffeisen Leasing International e cila ka 30% të aksioneve.

Produktet që do të ofrojë kjo kompani janë unike në tregun e Kosovës dhe mund të shfrytëzohen edhe nga individët edhe nga bizneset, është thënë në një konferencë për media.

Deri më tani, Raiffeisen Leasing ka nënshkruar kontratat me përfaqësuesit zyrtarë të distributorëve të automjeteve në Kosovë kështu që klientët kanë mundësi që nga sot të shfrytëzojnë produktin lizing për automjete. Përveç automjeteve, klientët mund të shfrytëzojnë produktet e lizingut edhe për blerjen e pajisjeve të ndryshme.

“Krijimi i Raiffeisen Lizing në Kosovë tregon edhe njëherë përkushtimin tonë ndaj tregut në Kosovë si dhe interesimin tonë për të mbetur pjesë e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Përmes Raiffeisen Lizing, ne iu ofrojmë klientëve tanë edhe një mundësi tjetër për t’i realizuar projektet e tyre“, tha Bogdan Merfea, drejtor ekzekutiv i Raiffeisen Bank.

Ai poashtu theksoi se Raiffeisen Bank në Kosovë është duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit që vijnë si rezultat i krizës ekonomike dhe financiare në botë, përkatësisht në Evropë. Megjithatë, Merfea është i bindur se Kosova si dhe vendet tjera në përgjithësi do të arrijnë të tejkalojnë situatën e krijuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Raiffeisen Leasing në Kosovë është degë e Raiffeisen Leasing International. Kjo e fundit është njëra nga kompanitë kryesore në ofrimin e produkteve lizing në Evropën Qëndrore dhe Lindore. Raiffeisen Leasing International ka 18 kompani të konsoliduara Lizing në 17 vende, duke përfshirë këtu kompanitë Lizing të krijuara së fundi në Kosovë në 2009, atë në Moldavi në vitin 2007 dhe në Shqipëri dhe Ukrainë në vitin 2006. /Telegrafi/