Telegrafi

Raiffeisen International në 2008-ën arrin profit prej 982 mln euro

Sipas një njoftimi zyrtar të bankës, profiti i konsoliduar (pas tatimit dhe pas fitimit të pjesës së aksionarëve të tjerë) është rritur për 17% në 982 milionë euro.

Faktori kryesor që ka ndikuar në këtë rezultat janë të hyrat neto nga interesi, të cilat janë rritur për 34% në 3.2 miliardë euro“

"Këto të dhëna preliminare ofrojnë fakte të qarta se modeli ynë afarist funksionon edhe në rrethana shumë të vështira të tregut”, ka deklaruar Rerbert Stepic, drejtor ekzekutiv i Raiffeisen International.

Në njoftimin zyrtar thuhet se, gjatë vitit 2008 banka i ka dhënë rëndësi të veçantë rritjes së depozitave të klientëve duke arritur shifrën prej 44.2 miliardë euro, që llogaritet të jetë rritje prej 9% në krahasim me vitin 2007. Ndërkaq kreditë dhe paradhëniet për klientë gjatë vitit të kaluar janë rritur për 18% dhe kanë arritur në 57.9 miliardë euro.

Sa i përket bilancit total të gjendjes, sipas njoftimit të bankës ai ishte 85.4 miliardë euro në fund të 2008, që llogaritet të jetë 17% ose 72.7 miliardë euro më shumë se sa ishte në fund të 2007.

Analistët makroekonomikë të RZB parashikojnë një rënie të GDP për 1.3% të Evropës Qendrore dhe Lindore në 2009. Shifrën e njëjtë të rënies së GDP ata e parashikojnë edhe për Austrinë.

Megjithë kushtet e pafavorshme, Stepic vazhdon ta konsideroj këtë rajon si gjenerator të rritjes dhe e thekson rëndësinë e përkrahjes së këtij rajoni.

“Raiffeisen International ka treguar tanimë përkushtimin e saj afatgjatë ndaj rajonit dhe si bankë kontribuon në mënyrë sistematike në stabilizimin ekonomik të rajonit,” tha Stepic. /Telegrafi/