Në kuadër të aktiviteteve për përkrahjen e komunitetit në Kosovë, Banka Raiffeisen ka improvizuar një hapësirë në qendrën tregtare Albi MALL e cila shfrytëzohet si hapësirë alternative për promovimin e punës së artistëve të rinj.
Hapësira është funksionalizuar në muajin tetor të këtij viti dhe do të jetë e hapur për një vit. Çdo muaj, kjo hapësirë do të shfrytëzohet nga një artist i ri i cili do të promovojë punimet e tij.
“Deri më tani, ne kemi mbështetur projekte të ndryshme kulturore në Kosovë. Por, kjo formë e mbështetjes duke ju ofruar artistëve të rinj hapërsirë alternative për ekspozimin e punimeve të tyre është diçka e re edhe për neve. Unë shpresoj shumë se kjo iniciativë do të kontribuojë në promovimin e artit në përgjithësi si dhe do t’ju ndihmojë artistëve të rinj në zhvillimin e karrierës së tyre”, tha Robert Wright, drejtor ekzekutiv i Bankës Raiffeisen në Kosovë.
Duke qenë se kjo është hera e parë që Banka merr një iniciativë të tillë, është vendosur të fillohet me një grup të vogël të artistëve të rinj dhe koordinimi sa i përket përzgjedhjes së artistëve është bërë në bashkëpunim me profesoreshën Zake Prelvukaj. Për vitin e parë, janë përzgjedhur 12 artistë të rinj, studentë dhe të sapodiplomuar nga Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Prelvukaj e ka mirëpritur këtë mundësi për artistët e rinj duke vlerësuar se “përvoja ekspozuese është shumë e nevojshme, sepse punimet që realizojnë të rinjtë duhet të ballafaqohen me publikun. Në këtë mënyrë, artistët u rezistojnë kritikave dhe fillojnë të bashkëpunojnë në grupe vendore dhe ndërkombëtare. Këta artistë të rinj lexojnë, e dinë arsyen pse janë nisë në këtë rrugë jo të lehtë. Hulumtojnë, dinë gjuhë, dhe kanë intelegjencë, e cila i shërben koncepteve dhe karakterit krijues.”
Nëse kjo iniciativë është e suksesshme për artistët që ekspozojnë punimet e tyre, Banka do të vazhdojë me këtë iniciativë edhe vitin tjetër dhe përzgjedhja e artistëve të rinj për shfrytëzimin e kësaj hapësire do të koordinohet përmes një konkursi të hapur. /Telegrafi/