Telegrafi

Raiffeisen dhurata fëmijëve për festat e fundvitit

Në kuadër të sezonit të festave, shumë njerëz të vullnetit të mirë kanë filluar të ndihmojnë ata që janë në nevojë. Me mbështetje të Shoqatës Humanitare dhe Bamirëse e Kosovës Nëna Terezë, edhe stafi i Raiffeisen Bank në Kosovë, ndërmorën iniciativën për të ndihmuar fëmijët në nevojë anembanë Kosovës, duke grumbulluar më shumë se 150 dhurata.

Dhuratat përmbanin rroba, lodra, paisje shkollore dhe ëmbëlsira – të gjitha të dedikuara fëmijëve, të cilat u shpërndanë nga koordinatorët e Shoqatës Nëna Terezë, në prag të festave të fundvitit.

Drejtori i Shoqatës Nëna Terezë, Zef Shala, ka uruar stafin e Raiffeisen Bank për iniciativën e ndërmarrë, duke theksuar se aktivitete të tilla shërbejnë si shembull për të tjerët. “Në vazhdën e aktiviteteve të Shoqatës Nëna Terezë për familjet nevojtare të Kosovës, bashkëpunuam edhe me Raiffeisen Bank, stafi i së cilës me vullnet dhe dashamirësi, kanë grumbulluar dhurata për fëmijët në nevojë. Numri i dhuratave të shpërndara në të gjitha regjionet e Kosovës nga koordinatorët e Shoqatës Nëna Terezë, ka arritur në 150, andaj mund të themi se përgjatë shpërndarjes së dhuratave, janë parë 150 buzëqeshje në 150 fytyra të fëmijëve. Në momente të tilla, në prag të festave të fundvitit, shohim se si të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë solidarizohen me familjet e varfëra”, theksoi Shala.

“Përmes kësaj iniciative, të gjithë ne nga stafi i Raiffeisen Bank në Kosovë, patëm mundësinë të ndihmojmë fëmijët në nevojë me dhurata të ndryshme. Aktivitetet me misione humanitare, të cilat janë shtyllë kryesore e principeve të kompanisë sonë, na ofrojnë një ndjenjë të lumturisë, dhe këtë vit, duke parë buzëqeshjet e fëmijeve, u gëzuam tejmase. I tërë stafi i Raiffeisen Bank janë shumë të kënaqur që ëndrrat e këtyre fëmijëve për të marrur dhurata këtë fundvit u bënë realitet.. Kjo është pjesa më preferuar e festave të fundvitit,” u shpreh njëra nga përfaqësueset e Raiffeisen Bank Kosova, duke uruar që gama e aktiviteteve humanitare, të tilla si të Shoqatës Nëna Terezë, të zgjerohen edhe më shumë në të ardhmen.

Prindërit, duke parë fëmijët e tyre të gëzuar, u shprehën mirënjohës, duke u falenderuar për faktin që Shoqata Nëna Terezë, në këtë rast përmes donacionit të Raiffeisen Bank Kosova, i mbështet çdo herë kur ata kanë më së shumti nevojë.

Duke iu bashkuar shpalosjes së vlerave të rëndësishme të bamirësisë dhe kontribuimit në komunitet, donacioni i stafit të Raiffeisen Bank, ka qenë një shtytje shumë e madhe për punën e Shoqatës Nëna Terezë, pasi që numri i familjeve përfituese në kuadër të aktiviteteve për festat e fundvitit është rritur.

Shoqata Nëna Terezë, së bashku me Raiffeisen Bank Kosova, duke iu uruar të gjithëve festat e fundvitit, bëjnë thirrje tek të gjithë të kontribuojnë sa më shumë në komunitet, dhe vazhdimisht, të zgjasin dorën për të ndihmuar familjet e varfëra./Telegrafi/