Telegrafi

Rahoveci vazhdon me fitore, mposht Ponte Prizrenin

KB Rahoveci, KB Prizreni (Foto: Facebook/KB Rahoveci)

Skuadra e Rahovecit ka arritur fitore të ngushtë kundër Ponte Prizrenit (101-99), në ndeshjen e vlefshme për xhiron e pestë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Mysafirët e nisën më mirë sfidën duke e fituar çerekun e parë me dy pikë epërsi (19:21).

Vendasit u kthyen në dhjetëminutëshin e dytë (29:22) për të shkuar në pushim me avantazh (48-43).

Pas pushimit, skuadra nga Prizreni ishte sërish më e mirë duke i shënuar tetë pikë më shumë se nikoqirët (24:32).

Sidoqoftë, në çerekun e fundit, ekipi vendas bëri paraqitje më të mirë (29:24) duke arritur edhe ta fitojë ndeshjen me dy pikë epërsi (101-99).

Kjo ishte fitorja e pestë e Rahovecit nga po aq ndeshje të zhvilluara dhe së bashku me Z Mobile Prishtinën janë dy skuadrat e vetme pa humbje në këtë fillimsezoni.

Për Ponte Prizrenin kjo ishte humbja e dytë sezonale, ndërsa ka regjistruar tri fitore dhe pozicionohet në vend të tretë në tabelë. /Telegrafi/