Site icon Telegrafi

Rahoveci me mundësinë e fundit për të shpëtuar sezonin

Rahoveci do ta presë Bashkimin në Gjakovë në cilësinë e vendasit për ndeshjen e tretë të playoffit.

Në mungesë të palestrës, rahovecianët zhvillojnë ndeshjet ne Gjakovë, aty ku Vreshtarët kanë pasur mirë në ndeshjet e fundit duke humbur vetëm një nga gjashtë përballjet e fundit si vendas edhe pse në një qytet tjetër.

Aktualisht Vreshtarët janë fare pranë eliminimit pas dy humbjeve të thella të pësuara në dy ndeshjet e para në Prizren.

Skuadra që drejtohet nga Bujar Loci e ka sonte (e mërkurë) rastin e fundit për të shpëtuar sezonin dhe për të ngushtuar epërsinë në 2-1 dhe për të siguruar edhe një përballje tjetër në Gjakovë në fundjavë.

Bashkimi është favorit për të përfunduar serinë qysh sonte, megjithatë, rahovecianët do të tentojnë t’i shfrytëzojnë gjasat e tyre për të mbetur në sezon. Ndeshja zhvillohet nga ora 19:30.

Rahoveci ka shkruar historinë tashmë këtë sezon me inkuadrim në playoff vetëm dy vjet pas inkuadrimit në Superligë.

Ndryshe nga klubet tjera, Rahoveci ishte hijeshia e këtij sezoni në Superligë, duke organizuar edhe udhëtime të përbashkëta me tifozë. Festa në tribuna ishte protesta e tyre për shtëpinë sportive që ka vite që po e kërkojnë.

Njëkohësisht tifozeria Ultras Vreshtarët ishte e vetmja që udhëtoi si myasfir, duke mbushur palestrën në Prizren, e cila në ndeshjen e parë u dominua nga shikues mysafir, teksa ky grup i tifozëve udhëtoi gjatë sezonit edhe në Suharekë për Kupë dhe për derbin e përbetuar sezonal ndaj Yllit.

Kjo arritje është e veçantë pasi asnjë ekip tjetër më herët nuk ka arritur të sigurojë pjesëmarrje në playoff edhe pse s’ka palestër dhe ndeshjet i zhvillon në qytet tjetër në mesin e shumë vështirësive. /Telegrafi/

Exit mobile version