Telegrafi

Rahoveci në hall me rrushin

Ajo që tashmë dihet është se bodrumet për përpunimin e rrushit e kanë bërë të qartë se nuk do ta marrin asnjë kilogram rrush prej fermerëve. Përpunuesit e rrushit thonë se janë në hallë për vete, pasi i kanë të mbushura bodrumet plot me raki të pashitur që nga viti i kaluar. Statistikat tregojnë se mbi 12.5 milionë litra verë kanë mbetur pa u nxjerrë në treg.

Krejt kjo për shkak të bllokadave që ka bërë Serbia për prodhuesit kosovarë pas shpalljes së pavarësisë. Nga kjo situatë izolimi që dy vjet, prodhuesit e verës në Rahovec kanë humbur një pjesë të madhe të tregut evropian, ku eksportonin brenda vitit miliona litra verë. Ndërkohë, probleme kanë edhe me dy shtetet e tjera, Maqedoninë dhe Malin e Zi, për shkak të CEFTA-s.

Ndërkaq, për tregun e brendshëm nuk mund të llogaritet fare, pasi 95 për qind e shitjes thonë fermerët është prej eksportit, kurse vetëm 5 për qind mund t’i absorbojë tregu i Kosovës.

Kryetari i Shoqatës së vreshtarëve, Labinot Shulina, thotë se në bisedat që kanë pasur me drejtuesit e bodrumeve për përpunimin e rrushit, atyre iu është thanë se për shkak të rezervave të mëdha nuk do të grumbullohet rrushi. /Express/