Telegrafi

Rahoveci mposht liderin Ponte Prizreni

(Foto: Shqipron Berisha/basketbolli.com)

Rahoveci ka shënuar fitore ndaj Ponte Prizrenit në udhëtim me shifrat 82-86 (23:20, 23:25, 14:21, 22:20), në kuadër të javës së 25-të në Five Star Superligën e Kosovës në basketboll.

Vendasit e nisën ndeshjen më mirë me një seri prej 10:2, por më pas mysafirët këndellen, duke shkrirë epërsinë, derisa 10 minutat e parë përfundojnë me shifrat 23:20.

Perioda e dytë ishte më e baraspeshuar. Vreshtarët kalojnë në epërsi 25:27, dhe më pas zhvillohet lojë interesante, me shumë rikthime në rezultat, kurse pjesa e parë përfundon 46:45.

Vreshtarët vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e tretë, duke pasur epërsi deri në 14 pikë, 52:66, por një seri e vendasve prej 8:0, bën që rezultati në semafor pas 30 minutash të jetë 60:66. 10 minutat e fundit ishin interesante.

Rahoveci kishte epërsi konstante, por Ponte nuk dorëzohet dhe dy minuta para fundit arrin të barazojë shifrat në 80:80. Megjithatë, në momentet vendimtare mysafirët ishin më të vëmendshëm dhe fituan 82-86.

Te Ponte Prizreni u dalluan Divine Myles me 31 pikë e 5 kërcime dhe Kwame Vaughn me 22 pikë, 6 kërcime e 7 asistime, derisa te Rahoveci u dalluan Alban Veseli dhe Ed Daneil me 21 pikë e 5 kërcime. Ponte Prizreni është në vendin e parë me 42 pikë, një më shumë se Rahoveci dhe Golden Eagle Ylli.