Komuna e Rahovecit kërkon nga Qeveria e Kosovës dëmshpërblimin e bujqve të dëmtuar dhe rritjen e subvencioneve.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka treguar se tashmë i ka dërguar edhe shkresë Qeverisë së Kosovës për dëmshpërblimin e bujqve të dëmtuar dhe rritjen e vlerës së subvencioneve për vreshtarët, perimtarët e blegtorët.
“Të nderuar fermerë të komunës sonë. Më lejoni t’ju njoftoj se në bazë të gjendjes së krijuar nga pandemia Covid 19, si dhe dëmeve që ka pësuar bujku rahovecian edhe nga vërshimet dhe përmbytjet, dje ju kam drejtuar me dy shkresa konkrete Qeverisë së Kosovës dhe kam kërkuar: Dëmshpërblimin e bujqve të dëmtuar, rritjen e vlerës së subvencioneve për vreshtarët, perimtarët, blegtorët…për të gjithë bujqit dhe fermerët”, ka shkruar Latifi.
Ai thotë se përkrahja nga qeveria dhe donatorët do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Përkrahja që vjen qoftë nga qeveria apo donatorët, sigurisht se ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”, ka shkruar Latifi.