Telegrafi

Rahoveci fiton derbin ndaj Kastriotit në hendboll dhe ngritet në vendin e tretë

(Foto: kosovahandball.info)

Rahovecit i ka takuar derbi i xhiros së 21-të në Superligën A të Kosovës në hendboll. Të dielën mbrëma, Rahoveci e mposhti Kastriotin e Ferizajt me një gol dallim, 24-23.

Ndeshja ishte e fortë dhe kryesisht e barabartë. Më mirë takimin e nisën vendasit që në pjesën e parë kryesisht ishin në epërsi të lehtë.

Pas 30 minutave rezultati ishte 14-13. Në pjesën e dytë Rahoveci u shkëput deri në tre gola, por ferizajasit nuk u dorëzuan deri në fund. U afruan në 24-23, por pa ia dalë të barazojnë shifrat.

Rahoveci tani është i treti me 28 pikë, një më shumë se Trepça e vendit të katërt. Kastrioti mbetet i pesti me 21 pikë dhe larg zonës që dërgon në ‘play-off’.

Egzon Vuçitërna ishte më efikasi te Rahoveci me gjashtë gola. Pesë gola i shënoi Alban Haziri. Ardi Rudari i realizoi 11 gola për Kastriotin. Gjashtë i shënoi Guilherme Da Silva.