Telegrafi

Rahoveci feston në “Minatori” ndaj Trepçës

Në ndeshjen e fundit të xhiros së gjashtë në Superligën e Kosovës në basketboll, skuadra e Rahovecit ka arritur të fitojë në udhëtim te Trepça.

Dueli ishte interesant deri në sekondat e fundit, mirëpo në momentet vendimtare më të përqendruar u treguan mysafirët, për ta mbyllur kështu këtë takim me fitore 76-81.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e Trepçës, e cila nën udhëheqjen e dyshes amerikane Williams-Hyden, u tregua skuadër më e mirë, mirëpo vendimtar për epilogun final u tregua çereku i tretë, në të cilin mysafirët shënuan 12 pikë më tepër se vendasit dhe krijuan epërsi, transmeton Borozani.

Gjithsesi, mitrovicasit nuk u dorëzuan dhe e mbajtën rezultatin e përafërt deri në çastet e fundit, mirëpo ishte dyshja Kyle Soviane dhe Xavier Newson që ua siguroi fitoren mysafirëve me shënimet në momentet vendimtare të përballjes.

Më të dalluarit te skuadra mitrovicase ishin Mark Williams me 28 pikë e 10 kërcime dhe Julian Hyden me 24 pikë, nëntë kërcime e shtatë asistime, kurse te Rahoveci për t’u veçuar ishin Xavier Newson me 17 pikë e dy kërcime dhe Kyle Soviane me 15 pikë e 10 kërcime.