Skuadrat kosovare në hendboll kanë mësuar kundërshtarët për garat evropiane.
Rahoveci, Besa Famgas dhe Kastrioti janë tre skuadrat kosovare që do të marrin pjesë sezonin e ardhshëm në garat evropiane.
Rahoveci në raundin e dytë, përballet me skuadrën belge
Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, garimin e fillon nga raundi i dytë i Kupës Evropiane (EHF European Cup).
Përballë Rahovecit do të jetë skuadra nga Belgjika, Sezoens Achilles Bocholt.
Ndeshja e parë zhvillohet në Bocholt të Belgjikës, ndërsa e kthimit në Rahovec.
Ndeshjen e parë “vreshtarët” e luajnë më 19 apo 20 tetor, ndërsa të kthimit më 26 apo 27 tetor. Kampioni ynë synon suksesin në garat evropiane.
Kastrioti përballet me skuadrën nga Bosnja
Fituesi i Kupës së Kosovës në hendboll (meshkujt), Kastrioti, do të paraqitet në raundin e parë të Kupës Evropiane (EHF European Cup).
Shorti i tërhequr të martën ka përcaktuar që Kastrioti të përballet me skuadrën nga Bosnjë-Hercegovina, RK Sloboda.
Ndeshja e parë zhvillohet në Ferizaj, ndërsa e kthimit në Tuzlla të Bosnjë-Hercegovinës.
Ndeshjet e raundit të parë zhvillohen në shtator. Në Ferizaj ndeshja do të luhet më 14 apo 15 shtator, ndërsa e kthimit më 21 apo 22 shtator.
Besa Famgas me rival nga Çekia
Besa Famgas, që tashmë ka përvojë të gjatë në gara evropiane, do të paraqitet në raundin e dytë të Kupës Evropiane (EHF European Cup) në edicionin 2024/2025.
Përballë skuadrës pejane do të jetë ekipi çek FCC Mesto Lovosice. Ndeshja e parë është në Çeki, ndërsa e kthimit në Pejë.
Para tifozëve të saj, Besa Famgas do të paraqitet më 26 apo 27 tetor. Por fillimisht, një javë më herët do ta ketë udhëtimin jo të lehtë për në Çeki. /Telegrafi/