Një i ri ka rënë nga kati i dytë i shtëpisë së tij të martën në Rahovec, ndërsa gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Nxënësi i klasës së shtatë në shkollën fillore “Bekim Sylka” në Rahovec është hedhur nga kati i dytë i shtëpisë së tij rreth orës 11:00 të së martës.
Rastin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj.
“Sot më datë 25.04.2018 rreth orës 11:00 stacioni policor ka marr informatë se një fëmijë- nxënës i klasës së shtatë në shkollën fillore ‘ Bekim Sylka’ në Rahovec ishte hedhur nga kati i dytë. Patrullat policore me të marr informatën fillimisht kanë shkuar në shkollën ku nxënësi në fjalë ka vijuar mësimin aty kanë kontaktuar me drejtorin e kësaj shkolle ku janë informuar se rasti në fjalë kishte ndodhur dje më datë 24.04.2018 rreth orës 11:00 në shtëpinë e nxënësit. Zyrtarët policor kanë kontaktuar edhe me prindin e fëmijës i cili njofton se gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Policia që nga momenti që ka pranuar informatën po punon intensivisht në hetimin e rrethanave të krijuara në këtë rast”, ka thënë Podrimaj për Telegrafin. /Telegrafi/
Foto: Ilustrim