Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka pritur në zyrën e tij Ragip Xhakën, babain e dy yjeve shqiptarë, Taulantit dhe Granitit.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, kreu i futbollit kosovar bëri të ditur se ai ka pranuar fanellën me nënshkrimin e yllit të Arsenalit.
Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë (pa ndërhyrje) të presidentit Ademi:
Sot në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës prita një mysafir të veçantë – Ragip Xhakën, babanë e një prej futbollistëve më të shquar të Arsenalit dhe të Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka.
Me kënaqësi të madhe e pranova fanellën e Granitit me nënshkrimin e tij, të cilën do ta ruaj si një dhuratë të çmuar në koleksionin tim të futbollit.
Ragipi më përgëzoi për punën e deritanishme në krye të FFK-së dhe shprehu shpresën që Kosova do të arrijë kualifikimin në Kampionatin Evropian së bashku me Zvicrën.
Me këtë rast, Granitit i dërgova urimet më të mira, duke shprehur shpresën që sivjet do të arrijë ta fitojë titullin e kampionit me Arsenalin në Ligën Premiere dhe do të vijojë të shkëlqejë në fushën e futbollit edhe për shumë vjet.
Familja Xhaka ka qenë dhe mbetet simbol i vlerave dhe atdhedashurisë, teksa Graniti është promovues i jashtëzakonshëm i vlerave të Kosovës dhe frymëzues për të rinjtë në mbarë botën për të ndjekur ëndrrat e tyre në futboll. /Telegrafi/