Asociacioni për kulturë “Tana art”, gjatë datave 22 dhe 23 gusht (2019), ka organizuar lexime skenike të fragmenteve tri dramave shqipe, si “Vetëkryqëzimi” (Ragip Sylaj), “Sekretet e urës” (Sadete Beqiri) dhe “Lufta e gruas” (Ibush Arifi).
Dramat në fjalë kanë qenë të përzgjedhura nga juria e konkursit të shpallur nga “Tana art”. Drama “Vetëkryqëzimi” e Ragip Sylajt është dërguar në konkurs me miratimin e familjarëve të shkrimtarit të ndjerë. Ky tekst mori shpërblimin “Kristë Berisha” që mban emrin e njërit prej njërit prej dramaturgëve dhe artistëve më të spikatur të artit skenik shqiptar në Kosovë. Ndërkaq, për dy autorët e tjerë, Sadete Beqiri dhe Ibush Arifi, u dhanë mirënjohje për pjesëmarrje në aktivitetin kulturor e teatror “Leximi skenik i dramës së sotme shqipe”.
Juria përbëhej nga Agron Shala, publicist, dramaturg, kritik arti, Berat Dakaj, dramaturg, kritik teatri, si dhe Adil Olluri, studiues i letërsisë, prozator.
Asociacioni për kulturë “Tana art” drejtohet nga regjisorja Iliriana Arifi.