Telegrafi

Rafuna: S’ka presion nga Qeveria ndaj Doganës

Drejtori i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna, ka mohuar zërat që në Doganën e Kosovës ka presion qeveritar për mbushjen e arkës së shtetit nga ana e bizneseve, si dhe ka mohuar që Dogana është duke bërë presion mbi biznese

Në një intervistë për “Epokën e re”, Rafuna ka thënë se askush nga Qeveria dhe Ministria e Financave nuk ka thirrur për të bërë presion për grumbullimin e të hyrave në Doganë.

“Qeveria dhe Ministria e Financave asnjëherë s’kanë thirrur në Doganë të thonë ‘bëje këtë apo atë’. Kompetencat janë të rregulluara në baza ligjore dhe nuk ka presion mbi bizneset”, ka thënë Rafuna.

Ai ka potencuar se nuk do të lejojë që në njërën anë bizneset të kenë borxh në Doganë, kurse në anën tjetër të ushtrojnë veprimtari biznesore.

“Nuk është ligjore dhe e moralshme të kesh borxh deri 300 mijë euro në Doganë, në anën tjetër të ushtrosh veprimtari biznesore. Për mua si menaxher kjo është e patolerueshme. Ligji kërkon në çdo moment se borxhi duhet inkasuar, pasi taksat janë para të publikut. Unë nuk e gëzoj të drejtën ta kreditoj një importues dhe t’i them mos e paguaj borxhin dhe vazhdo puno. Për këtë arsye janë bankat. Në qoftë se biznesi s’ka mundësi ta paguajë borxhin në Doganë, mund të marrë kredi, pasi është sistem i ndërtuar dhe i rregulluar në baza ligjore”, është shprehur Rafuna.

Drejtori Rafuna ka bërë me dije se, krahas vitit të kaluar, ky institucion ka arritur të grumbullojë të hyra për 4 për qind apo 30 milionë euro më shumë se vitin e kaluar, edhe përkundër krizës politike dhe rënies prej 6 për qind të sasisë së mallit.

Më tej Rafuna ka thënë se falë ngritjes së efikasitetit të stafit doganor dhe bashkëpunimit me Policinë e Kosovës dhe me qytetarët është arritur të zvogëlohet kontrabanda.

“Në pjesën veriore zakonisht tentohet të kontrabandohen mallra të cilat kanë akcizë, siç janë vajrat, alkooli dhe cigaret. Mirëpo, falë një bashkëpunimi dhe koordinimi që kemi me Policinë e Kosovë dhe Administratën Tatimore, kemi arritur t’i ndalim shumë raste dhe t’i mbyllim shumë vrima të kontrabandës. Kemi indikacione shumë të mira që tregojnë se ka rënë kontrabanda në veri”, ka deklaruar Rafuna.

“Epoka e re”: Z. Rafuna, do të arrihet plani i paraparë për mbledhjen e të hyrave në Doganën e Kosovës deri në fund të vitit?

Rafuna: Së pari duhet bërë dallimin mes parashikimit që bëhet një vit më parë nga të hyrat e realizuara. Vitin e kaluar parashikimi është bërë në bazë të historiatit të vitit paraprak. Në vitin 2013 nuk kemi pasur krizë politike siç ka ndodhur këtë vit, prandaj kjo krizë nuk ka qenë e paraparë. Në këtë vit ka qenë e paraparë se do ketë shumë më shumë investime, stabilitet ekonomik dhe social. Në bazë të dhënave të historisë, departamenti i politikave fiskale në kuadër të Ministrisë së Financave ka vendosur si projeksion 934 milionë euro. Këtë vit kemi arritur të kemi 4 për qind më shumë të hyra se vitin e kaluar, që i bie 30 milionë më shumë. Mirëpo kemi 6 për qind sasi të mallit më pak. Elementi i dytë që ka ndikuar në mosarritjen e parashikimit është edhe hyrja në fuqi e Ligjit për rritjen e tatimit doganor. Pas një viti e gjysmë që ligji ka qëndruar në Kuvendin e Kosovës, në një moment deputetët janë pajtuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa dhe e kanë aprovuar Ligjin, i cili ka hyrë në fuqi më 15 janar të këtij viti. Ndikimi i këtij ligji sa iu përket të hyrave është më pak 8 milionë euro. Ne e patëm përgatitur ligjin, por Kuvendi u shpërbë. Kanë qenë mbi 10 milionë euro të planifikuara që do të vinin nga telefonat mobilë. Gjithashtu, kanë qenë të parapara të vijnë edhe 7 milionë euro nga vendosja e akcizës nga biletat e aeroplanit, por edhe kjo dështoi për shkak të rrethanave politike.

“Epoka e re”: Si po funksionojnë pikat doganore në veri?

Rafuna: Gjithçka është duke shkuar në rregull. Si në çdo vendkalim tjetër, edhe në këto pika doganore kontrollohet malli dhe taksat paguhen në rregull.

“Epoka e re”: Janë vërejtur disa raste të ndalim-kontabandimit gjatë këtij viti. I atribuohet kjo rritjes së efikasitetit doganor?

Rafuna: Në pjesën veriore zakonisht tentohet të kontrabandohen mallra, të cilat kanë akcizë, siç janë vajrat, alkooli dhe cigaret. Mirëpo, falë bashkëpunimit dhe koordinimit që kemi me Policinë e Kosovë dhe Administratën Tatimore, kemi arritur t’i ndalim shumë raste dhe t’i mbyllim shumë vrima të kontrabandës.

Kemi indikacione shumë të mira që tregojnë se ka rënë kontrabanda në veri.

Janë ngritur çmimet në pjesën veriore dhe nuk janë çmimet sikurse para 7 muajve. Gjatë takimeve që kemi çdo ditë me biznese të mëdha, na informojnë se kanë filluar të shesin mallra në pjesën e veriut. Janë tri kompani të naftës që shesin rregullisht naftë, kurse tashmë kanë filluar edhe kompanitë ushqimore. Tani kontrabandë me mauna nuk ka më, pos rasteve që mund të jenë me vetura individuale. Niveli i kontrabandës është duke rënë. Ngritja e të hyrave për 4 për qind, përkundër kësaj krize dhe rënies për 6 për qind të sasisë së mallit, tregon efikasitetin e Doganës për luftimin e ekonomisë informale. Pra, kemi një mobilizim dhe qasje të re të punës në 2014-n, sepse kemi hyrë me një sistem të ri falë reformës që kemi bërë. Dua t’ju informoj se tanimë kemi arritur ta ngrehim edhe disiplinën brenda stafit.

“Epoka e re”: Dhe rezultat i kësaj disipline?

Rafuna: Katërmbëdhjetë oficerë doganorë janë suspenduar, kurse 55 të tjerë janë në procedura disiplinore. Me këto masa janë rritur përgjegjësia dhe llogaridhënia brenda stafit. Ato kanë ndikuar në rritjen dhe efikasitetin për luftimin e ekonomisë informale. Të gjitha këto reforma dhe ky ndryshim i sistemit të punës kanë bërë që ne të kemi të hyra më shumë për 30 milionë euro.

“Epoka e re”: Në prokurori janë një mori lëndësh të pazgjidhura. Mendoni se kjo do të ndikojë në rënien e performancës pozitive të Doganës?

Rafuna: Tek ne ndikon shumë moszgjidhja me kohë e ankesave, për arsye se aty janë taksat. Përveçse nuk mblidhen taksat, na marrin edhe kohën për t’i pasqyruar në pasqyrat tona financiare. Kjo paraqet edhe një mesazh te kontrabanduesit e tjerë apo nëse mund t’i quaj tek kriminelët e veprave penale. Në qoftë se prokurori merr veprime të shpejta së bashku me doganierë dhe e procedon rastin shpejt, atëherë mesazhi është i qartë tek ata që kanë tendencë për të bërë vepra kontrabandimi, pasi tregohet serioziteti i shtetit. Nëse një biznes ka deri 3 milionë euro evazion fiskale (shmangie nga tatimi) dhe nëse nuk procedohet për 5 ose 6 vjet, atëherë jo që nuk është dënuar biznesi, por ai ka punuar me ato mjete dhe pas 6 vjetëve dhe më nuk ka kurrfarë efekti. Pra, nga qarkullimi që biznesi ka bërë, i ka nxjerrë 2 apo 3 herë ato mjete.

“Epoka e re”: Pasi në Kosovë s’ka ndonjë prokurori të veçantë e cila merret me lëndët e adresuara nga Dogana, do ta rëndojë kjo punën tuaj?

Rafuna: Ne shumë vende të Bashkimit Evropian është i përcaktuar prokurori i veçantë që merret me lëndët e Doganës dhe Administratës Tatimore. Këto janë taksa dhe duhen investuar në të mirën e publikut, në shkollë, rrugë dhe shtëpi shëndeti. Ne që dy vjet kemi kërkuar të ketë prokurorë të veçantë, mirëpo numri i vogël i prokurorëve po e pamundëson që edhe ne të kemi një prokuror të veçantë.

“Epoka e re”: Ka zëra që pushteti është duke bërë presion tek Dogana dhe ATK-ja për ta mbushur arkën e shtetit. Ka me të vërtetë presion nga Qeveria tek Dogana?

Rafuna: Nuk ka asnjë presion nga ana e Qeverisë. Ne jemi organ ekzekutiv profesional. Fatkeqësisht, nga disa importues, të cilët me vite u janë shmangur procedurave doganore dhe tatimeve, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, tani dëshirojnë të proklamojnë që është një lloj presioni. Nuk është presion në qoftë se dikush kërkon nga ju ta respektoni ligjin. Nuk është presion të kërkohet pagimi i borxhit në Doganë. Prandaj, nuk është ligjore dhe e moralshme të kesh borxh deri 300 mijë euro në Doganë, në anën tjetër të ushtrosh veprimtari biznesore.

Për mua si menaxher kjo është e patolerueshme. Ligji kërkon në çdo moment se borxhi duhet inkasuar, pasi taksat janë para të publikut. Unë nuk e gëzoj të drejtën që ta kreditoj një importues dhe t’i them mos e paguaj borxhin dhe vazhdo puno. Për këtë arsye janë bankat. Në qoftë se biznesi s’ka mundësi ta paguajë borxhin në Doganë, mund të marrë kredi, pasi është sistem i ndërtuar dhe i rregulluar në baza ligjore. Qeveria dhe Ministria e Financave asnjëherë s’kanë thirrur në Doganë të thonë ‘bëje këtë apo atë’. Kompetencat janë të rregulluara në baza ligjore dhe nuk ka presion mbi bizneset.

Bizneset e rregullta i kanë të gjitha privilegjet, mirëpo te Dogana tashmë ka ndryshuar sistemi i mbikëqyrjes së veprimit. Më herët depot doganore me dy-tre vjet nuk janë kontrolluar, tani çdo pesë javë bëhet kontroll në depo. Dogana e ka në diskrecion për ta kontrolluar depon dhe për të parë nëse janë duke u respektuar rregullat. Depot e vjetra i kemi mbyllur, kurse të rejat i kemi nën kontroll. Në fillim kemi pasur gjashtë raste për shkak të praktikës që është ndërtuar në të kaluarën. Ato raste i kemi dënuar ashpër dhe ka qenë një mësim për të tjerët.

“Epoka e re”: Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) ka reaguar lidhur me ankesat e bizneseve, adresuara DK-së për presion ndaj bizneseve, vetëm e vetëm për ta mbushur arkën e shtetit?

Rafuna: Aleanca Kosovare e Biznesit është dashur ta luajë rolin edukativ tek anëtarët e vet. Kryetari i AKB-së është pjesë e Këshillit Konsultativ. Ne praktikisht diskutojmë, më pas marrim vendime. Për këtë arsye, për hir të transparencës, kemi krijuar këshillin konsultativ. Dogana nuk është e interesuar ta mbyllë asnjë biznes, por me vizionin e ri që kemi, jemi të interesuar për të lehtësuar të bërit biznes. Në asnjë moment kjo nuk nënkupton që, duke lehtësuar të bërit biznes, mos ta implementojmë apo shkelim ligjin. Ne duhet të kemi konkurrencë të barabartë në treg dhe në asnjë moment Dogana nuk ka marrë ndonjë veprim në kundërshtim me ligjin. Nuk mund të tolerojmë që kompanitë të kenë borxh në Doganë, në anën tjetër të bëjnë tregti. Ne jemi pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë, ku na mbikëqyrin në mënyrë shumë të rreptë. Le ta tregojë Aleanca Kosovare e Biznesit, një rast të vetëm që kemi dëmtuar një biznes duke shkelur ligjin.

“Epoka e re”: Z. Rafuna, si është bashkëpunimi me Doganat e rajonit?

Rafuna: Bashkëpunimi është i shkëlqyeshëm. Kemi marrëveshje bilaterale; i shkëmbejmë të dhënat në baza të rregullta. ky bashkëpunim na ka ndihmuar ta luftojmë evazionin fiskal. Gjithashtu, kemi një sistem elektronik të quajtur “sitë”, i cili është financuar nga Bashkimi Evropian. Në momentin kur një mall ngarkohet në Kosovë, ne paraprakisht i kemi të dhënat për sasinë, vlerën dhe llojin e mallit.

“Epoka e re”: Kur pritet funksionalizimi i policisë së specializuar doganore?

Rafuna: Qendrën Komerciale e kemi në objektin e ri Doganor dhe do të lëshohet javën e ardhshme, kurse sa i përket pjesës tjetër të Policisë doganore, që nga fillimi i vitit do të krijohet ekipi doganor me 55 zyrtarë të Administratës Tatimore, të cilët do të vishen me uniformën e Doganës dhe do të menaxhohen nga Dogana. Më pas do të inkorporohen brenda 20 zyrtarë doganorë dhe do ta kemi një ekip prej 75 oficerësh doganorë. Ky është hapi i dytë i bashkimit të ATK-së me Doganën. Hapi i parë ka qenë me njësitë hetimor, ndërkaq tani është në radhë Policia Doganore.

Është e rëndësishme të përmendi se, falë bashkëpunimit që kemi me qytetarët tanë dhe telefonatave që vijnë nga ta, kemi arritur ta luftojmë evazionin dhe kontrabandën. Deri më tani kemi 232 thirrje, ndërkaq vitin e kaluar kishim vetëm 66 thirrje. Mua më bën të lumtur se është rritur vetëdijesimi i konsumatorëve sepse 95 për qind e informatave që kanë dhënë kanë dalë të sakta. Ky është një sistem evropian, ku çdo qytetar i cili vëren diçka keq lajmëron organin kompetent.

Sfidat e Doganës

“Epoka e re”: Me cilat sfida përballet Dogana e Kosovës?

Rafuna: Kemi sfida për t’i ndërtuar ekipet e veçanta të specializuara për Polici Doganore, të cilat do ta luftojë kontrabandën. Do të jetë një ekip i specializuar dhe i pajisur me teknologji, ku një pjesë e kësaj teknologjie është blerë nga mjetet e Qeverisë, pjesa tjetër është financuar nga qeveria amerikane, e cila vazhdimisht është duke na ndihmuar. Dogana e Kosovës më së shumti ka mjete të ndara nga qeveria amerikane. Në shekullin XXI nuk luftohet në mënyrë klasike me oficerë doganorë vetëm fizikisht, por luftohet nëpërmjet pajisjeve dhe kamerave me sensorë. Qëllimi ynë është luftimi i evazionit fiskal. Sfidë e jona do të jetë edhe thjeshtimi i procedurave, në mënyrë që ta lehtësojmë qarkullimin e tregtisë me vendet e rajonit. Kështu çdo investitor i huaj ose prodhues i yni ta eksportojë mallin sa më lehtë në vendet e rajonit. Ne jemi vendi i vogël me 2 milionë banorë dhe çdo investitor nuk ka qëllim vetëm tregun e Kosovës, por të eksportojë edhe në rajon. Ideja është që Dogana mos të jetë kufi i hekurt si në kohën e komunizmit, por të shndërrohet në virtual.