Site icon Telegrafi

Rafet Prekazi publikon listën e Kosovës U21 për ndeshjet me Andorrën dhe Turqinë

Është bërë publike lista e të grumbulluarave për dy ndeshjet e ardhshme të Kosovës U21 ME 25 lojtarë, ndërsa risitë për dallim nga grumbullimet e kaluara janë të shumta.

Futbollisti Alfred Ajdareviq është ftuar për herë të parë, ndërsa Lirim Kastrati i bashkohet ekipit U21 nga ekipi A.

Trajneri Rafet Prekazi në një konferencë për media u shpreh i lumtur me cilësinë e lojtarëve të ftuar për ndeshjet kundër Andorrës si mysafir më 6 qershor dhe pesë ditë më vonë pret Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Janë 6 lojtarë të vitit 2000, me të vërtetë të gjithë janë të rinj, por në këtë listën që e keni tani janë 6 lojtarë të viti 2000. E dini që gjenerata ‘99 dhe ‘98 ka të drejtë për kualifikime, ndërsa numri i 2000 është 6, është edhe një, por ai është i lënduar”.

“Presim që edhe kjo gjeneratë të japë më të mirën nga vetja, absolutisht nuk vjen në shprehje që çdo lojtar që paraqitet për Kosovën mos të japë maksimumin. Kjo ka qenë moto e vitit të kaluar dhe do të vazhdojmë edhe më tutje me këtë gjeneratë”, tha Prekazi.

Sa i përket pritjeve për dy ndeshjet e ardhshme të Kosovës U21, Prekazi nuk deshi të japë prognoza.

“Nuk jam nga llojet e trajnerëve që jap deklarata rreth rezultateve. Pas asnjë ndeshje ose para, asnjëherë nuk vije në konsideratë sepse ju thash më parë është kompozimi i ekipit, edhe publikisht kërkoj për ata djem, siç e keni bërë për gjeneratën e kaluar që kanë qenë të suksesshëm dhe e kanë arsyetuar emrin Kosova U21, prapë kërkoj nga ju, këta djem kanë nevojë për mbështetje dhe ndihmë”.

“Sa i përket pikave, asnjëherë nuk flas. Duhet shikuar realitetin. Ne si shtet i ri, realisht ku është Anglia, Turqia Shqipëria. Mund të jenë të gjithë para nesh, por fusha mund të tregojë diçka tjetër”.

“Kam besim te këta djem, që kanë me dhënë maksimumin dhe pas dy vjetësh ajo që është primare që e tha një prej koleg tuaj, kanë shkuar disa prej lojtarëve te kombëtarja A. Ky është një sukses. Mirëpo aty ku jam unë trajner, do të ulemi mbas 2 viteve dhe do të bisedojmë. Një është e sigurt që kanë me jep maksimumin dhe aty ku jam unë trajner nuk ka as arsyetime as justifikime, aty ku jam unë ka vetëm përmirësime”, tha Prekazi.

Lojtarët e rinj të ftuar nga Rafet Prekazi, mund t’i shihni në foton e mëposhtme.

Ndryshe, Kosova U21 gjendet në grupin e tretë të kualifikimeve së bashku me Turqinë, Andorrën, Shqipërinë, Austrinë dhe Anglinë./KP/

Exit mobile version