Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i dyshuar se është i përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ka thënë se pos kryeministrit Ramush Haradinaj është parë dhe ka biseduar edhe me zyrtarë tjerë të lartë në Prishtinë.
Radoiçiq ka thënë se në mesin e atyre që ka takuar është edhe presidenti Hashim Thaçi.
“Jam takuar me të dy. Po ashtu i kam parë edhe disa të tjerë dhe secili prej tyre u ka premtuar serbëve kulla e qytete, që të jenë në anën e tyre e jo me të tjerët. Por ne nuk mund të shkelim mbi interesat jetësore të serbëve”, tha Radoiçiq për Klan Kosovën.
Në fakt, ai vetëm konfirmoi diçka që më herët gjatë ditës e tha Haradinaj.
Haradinaj foli për këtë takim pas deklaratave të ditëve më parë që bëri presidenti Thaçi në Tiranë, ku tha se pro ndarjes së Kosovës janë disa tjerë, e jo ai vetë.
Ndërsa, Radoiçiq nuk ka dhënë shumë detaje nga takimi me dy krerët e shtetit Haradinajn e Thaçin, përveç se ka shtuar në shqip se ka biseduar edhe me të tjerë, pos Thaçit e Haradinajt.
Nga zyra e Presidentit ende nuk janë deklaruar lidhur me pretendimet se ai është takuar me Radoiçiqin. /Telegrafi/