Telegrafi

Radhë të gjata në vendkalimin kufitar Vërmicë-Morin

Autoritetet e policisë kufitare shqiptare kishin paralajmëruar se në fillim të qershorit në pikëkalimin kufitar Morin-Vërmicë, kontrolli ishtetasve që qarkullojnë në këtë pikëkalim do të kryhej vetëm një herë në hyrje.

“Edhe pikëkalimi kufitar i Vërmicës do të përfshihet në sistemin TIMS dhe MEMEX. Bashkë me Vërmicën në këtë sistem do të jenë edhe Qafë-Morina, Qafë-Prushi, Orgjost-Orqushë, Borje-Glloboçicë dhe Shishtavec-Krushe. Instalimi i këtij sistemi do të bëhet përmes antenave me radio rele në Midë të Pukës dhe do të kontrollohet përmes një serveri të përbashkët”, deklaron një përfaqësues i policisë shqiptare që po merrej me instalimin e sistemit të ri në pikëkalimin kufitar të Morinit.

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, më 12 gusht të vitit kaluar ka miratuar në parim marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin policor ndërkufitar. Marrëveshja ka hyrë në fuqi më 21 mars të këtij viti, pasi është ratifikuar nga parlamentet e të dy vendeve. Pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje janë hartuar edhe disa marrëveshje të tjera teknike që priten të firmosen në nivel ministrash. Marrëveshja për kontroll të kufirit vetëm në hyrje është pritur të aplikohet me fillimin e sezonit të ri turistik. Hyrjet nga Kosova në Shqipëri do të kontrollohen vetëm në Morin, ndërsa hyrjet nga Shqipëria në Kosovë do të kontrollohen vetëm në Vërmicë./koha/