Në fillim të vitit të kaluar, një radar për matjen e shpejtësisë u instalua në qytetin gjerman Kirhzeon (Bavaria).
Pranë shkollave fillore dhe të mesme kalojnë rreth 16 mijë automjete çdo ditë, dhe shumë prej tyre nuk respektojnë shpejtësinë e lejuar, transmeton Telegrafi.
Banorët u ankuan për zhurmën, ndërsa prindërit për rrezikun e fëmijëve të tyre, për këtë arsye autoritetet lokale u detyruan të reagonin.
Para se të instalohej radari, u provuan masa të ndryshme qetësuese të trafikut, duke përfshirë ndriçimin shtesë dhe zgjidhje të tjera të trafikut.
Megjithatë, pasi radari filloi të funksiononte, më shumë se 4000 shoferë u gjobitën vetëm në muajin e parë.
Pas një viti, të dhënat janë marramendëse. Mesatarisht, radari regjistron rreth 3000 shkelje në muaj, dhe kufiri i 50 km/h është shkelur deri në 34500 herë në total.
Shumica e shoferëve vozitën me shpejtësi ndërmjet 6 dhe 10 km/h më shpejt se kufiri ligjor, por deri në 13 shoferë vozitën më shpejt se 110 km/h në zonën e shkollës!
Falë shkeljeve, Kirhzeon arkëtoi një milion euro nga gjobat e shpejtësisë në vetëm një vit. Për dallim nga Mynihu, qyteti me 1.6 milionë banorë, fiton rreth 1.5 milionë euro në vit nga radarët.
Përveç sistemit të radarit që përmirëson sigurinë rrugore, buxheti i qytetit u plotësua gjithashtu ndjeshëm. Miliona euro të grumbulluara do të përdoren për rinovimin e shkollës fillore dhe pishinën e brendshme.
Pas kësaj është planifikuar ndërtimi i një stacioni të ri zjarrfikës, dhe blerja e veturave të zjarrfikësve.
Duke qenë se edhe këtë vit priten të hyra të konsiderueshme nga gjobat, Kirhzeon do të vazhdojë të investojë në infrastrukturën dhe sigurinë e qytetarëve. /Telegrafi/