Site icon Telegrafi

Racizmi kulturor i Ben Blushit!

Tue u marrë me futbollin kombëtarist, Ben Belushi harron se kjo lojë âsht sot industri dhe përshkruan ma s’miri konditat e tregut të hapun kapitalist, përfshi lirinë e zgjedhjës dhe globalizimin.

1.

Secili futbollist i talentuem – pos Koresë së Veriut – e gëzon të drejtln me i mbrojtë ngjyrat e akëciles kombëtare në botë, varësisht rregullave të FIFA-s dhe interesit individual që e shpreh lirisht. Dhe, kjo nuk ka t’bâj me teoritë kombëtariste dhe me kombet supremaciste, si në ndërdijen e Blushit.

Ç’âsht ky hez i ri me riaktualizu nji etni (kombin etnik) tue cilësu si komb unik, në epokën kur shteti modern dhe kushtetues po ia thith fuqitë imagjinare nji strukture politkisht të konstruktueme në shekullin 19 dhe fillimin e shekullit 20!?

2.

Dhe, kulmi i racizmit kulturor, që kufizohet me fashizmin âsht fjalia e tij ikonike: “Kombëtarja e Shqipërisë (…) që mund të shkatërrojë dy shtetet ku shqiptarët nuk do donin të ishin. Kosovën dhe Maqedoninë”.

Së pari, vet ideja e shkatërrimit të shteteve âsht kurdo dhe kudo fashiste, qoftë ky shkatërrim vetëm i sferës së futbollit!?

Dhe, e dyta, tezë arbitrare, anmiqsore dhe e pështirë del nga goja e nji shkrimtari të mirë si Blushi, se “… mund të shkatërrojë dy shtetet ku shqiptarët nuk do donin të ishin”.

D.m.th. shqiptarët e Kosovës që derdhen gjak e djersë, së paku që nga viti 1968 për nji Republikë të tyre sovrane – nji shtet kombëtar – nuk po dojkan me ekzistu shteti i tyne ose së paku nuk po dojkan të ishin Kosovë, por qe, shtetin kombëtar ua imponuen!

Kish me qenë qesharake po të mos ishte e rrezikshme.

Sëkëndejmi, Blushi duhet me ditë që jo vetëm Kosova që në Kushtetutën e saj ka parashenja të qarta kombëtare (simbolet kombëtare (Shih pikën 3 të Marrëveshjës së Brukselit/Ohrit, pika 1.), Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) si forcë kombëtare mbrojtëse (Neni 126: Forca e Sigurisë e Kosovës është forcë kombëtare e sigurisë për Republikën e Kosovës dhe 
mund të dërgoj pjesëtarët e saj jashtë vendit në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj 
ndërkombëtare].

3.

Nji pandehmë tjetër skajmënisht e pargumentume e Blushit âsht kur e ka vù theksin te ekonomia e rritur kombëtare, disponimi si reflektim në rritjen e sukseseve të kombëtares në futboll, gjâ që nuk përkon fare me realitetin, pra as rrethana e pasunimit nuk e ngritë nji kombëtare të madhe; shembulli i ShBA-së, që âsht e në ranglistën e FIFA-s e 11-â me 80,034 dollarë [USD] derisa Argentina âsht e para me vetëm 13,297.42 dollarë për frymë.

Por, as vendet relativisht të vorfuna nuk janë se luejnë ma keq se Shqipnia që âsht e 62-a në ranglistën e FIFA-s me 8,057.49 US$, me shtatëfish ma pak të ardhuna jânë kombëtarja e Senegalit e 20-a me 1,714.65 USD, Kameruni e 41-a në këtë ranglistë me 1,721.95 USD.

Apo kombëtaret amerikanojugore si Peru, e 22-a, me GDP për frymë prej 6,725.00 USD në përfundim të vitit 2023; Ekuadori 38-a me GDP 5,730.00 USD (2023); Paraguaj e 52-a me 5,842.96 USD; Venezuela e 53-a me 3,640.81 USD e kështu me radhë.

4.

Pa e ditë me e bâ dallimin thelbësor teorik mes formacioneve shoqnore si popull, etni, komb dhe shtet, Blushi poashtu nuk ka kah me e ditë faktin se etnitë e ndryshme bâjnë kombe unike si Zvicra, Amerika, Kanadaja dhe p.sh. Indonezia që përbâhet nga 1340 etni, por âsht nji komb unik. Etnitë lidhen me shtetin/komb në bazë të nji Kushtetute dhe nji Ligji që vlen për të gjithë, jo për hamendjet e Blushit e kângët e Shkurte Fejzes si “tradita të shpikura”, simas librit të edituar nga Eric Hobsbaemit dhe Teremce Rangerit.

“Në historinë e Botës nuk ka asnjë Kombëtare që furnizohet nga tri shtete fqinje si kjo Kombëtare që furnizohet njëkohësisht nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia”, thotë Blushi pa bâ asnji përpjekje me msu faktet që janë të qasshme për secilin që i kërkon ato para besimit në faktet imagjinare.

Blushi ka harru faktin se të gjitha shtetet e Gadishullit tonë, Shqipnia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Kroacia tubojnë futbollistë nga tri-katër shtete.

Serbia, p.sh., mbledh futbollistë nga nga shtete (Serbia, Mali i Zi, Bosnja (Republika Sërpska) dhe Kosova!

Kurse, kombëtarja kosovare merr lojtarë poashtu nga katër shtete: Kosovë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Kosova nga Serbia e merr Arton Zekajn, i lindun në Suboticë të Vojvodinës, i cili luejti për kombëtaren serbe dhe tash do të luej për Kosovën! Nga Maqedonia e Veriut kishte marrë Shaban Zenkun, futbollistin nga Kërçova që luajti për tri kombëtare brenda një viti, tek Kosova U18, kaloi tek Shqipnia U18, teksa në fund zgjodhi Maqedoninë e Veriut. Nga Mali i Zi e ka marrë portierin Arijanet Anan Muriqi, i cili luejti për këtë kombëtare (U21).

Mali i Zi poashtu mbledh në kombëtare futbollistë nga Mali i Zi, Serbia dhe Kosova! Fatos Beqiraj âsht kosovari që luajti për kombëtaren e Malit të Zi etj.

Kroacia mbledh futbollistë nga vet Kroacia, nga Mali i Zi (Radomir Xhaloviq ka luajtur për kombëtaren e Malit të Zi, por kur kishte shkuar në Zagreb ishte shtetas i Serbisë për kombëtaren e Serbisë U18), nga Bosnja dhe Serbia (rasti i Bojan Knezheviqit që luan në Dinamo të Zagrebit i cili âsht serb etnik, por kroat me shtetësi, që me gjasë ka zgjedhë t’i mbrojë ngjyrat e Serbisë).

Lojtari nga zemra e Bosnjës (Nova Bila) Silvija Ilinkoviq, ka luejt për kombëtaren boshnjake U-16, por në fund e zgjodhi kombëtaren kroate.

Dhe, plot shembuj të ngjashëm.

5.

“Kjo është arsyeja që mijëra tifozë kosovarë e braktisin kombëtaren e tyre që përfaqson një shtet dhe ndjekin kombëtaren e Shqipërisë që përfaqëson një komb”, shkruen manej Blushi pa e vra mendjen se tifozëritë rëndom ndjekin sukseset e jo shtetet. Po të kualifikohej kombëtarja kosovare, Shqipnia për fansat kosovarë kishte me u vù në plan të dytë, sepse Dardanët kishin me e marr më vete edhe zemrën e Shkurte Fejzës dhe kângën “Mora fjalë” që i dedikohet luftës së Kosovës!

“Kombëtarja e Shqipërisë është në fakt Kombëtarja e tri shteteve, ose më saktë kombëtarja që mund të shkatërrojë dy shtetet ku shqiptarët nuk do donin të ishin – Kosovën dhe Maqedoninë”, rreknehet edhe ma fell ai.

Nëse dekonstruktojmë këtë fjali të Belushit, ai brenda saj ka aq kundërshti të mëdha sa që nuk do t’i ndodhin as nji amatori në shkrim, por që e njeh sadopak logjikën formale, sepse thjesht tue mos i njoftë fare teoritë identitare dhe terminologjinë sociologjike – derisa thotë se “mijëra tifozë kosovarë e braktisin kombëtaren e tyre që përfaqson një shtet” – d.m.th. autori e pranon se kosovarët e paskan kombëtaren e tyre (që e braktisën!? siç.!) për me rrshitë në jokonsistencë në vazhdim të te njâjtes fjali, se “kombëtarja shqiptare (që) përfaqëson një komb” (unik) përfaqēsuaka tri shtete!?

E kombëtaret e këtyre tre shteteve kâ përfaqësojnë, xhanëm ti Beni!?

Nëse kombëtarja e Shqipnisë është e kombit unik shqiptar, Komiteti Olimpik i Shqiperise a e përfaqson shtetin apo kombin shqiptar? Zyrtarisht emnohet si Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSh) tue përdor nocionin komb. Po, Komitetet Olimpike të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kân e përgaqësojnë (kombin serb në Kosovë apo atë kosovar dhe kombin maqedonas që nuk e njeh Bullgaria por që në kombëtaren e saj luejë gjashtë shqiptarë etnik – Enis Bardhi, Arijan Ademi, Ezgjan Alioski, Visar Musliu, Valon Ethemi, Agon Elezi).

6.

Blushi pavetëdijshëm ka rrshitë në antikosovarizëm (racizëm kulturor). Sëkëndejmi, tue i pa gjânat me shpirtin kolektiv të turmave, e kombin si tablo biologjistike, harron se ka knejpari edhe individë që kanë qasje jopopuliste për kombin tue pa atë si solidarësi qytetare (kombi civic) e jo gjak, gjuhë e troll!

______

P.S. Në këtë vegëz muneni me lexu shkrimin e plotë të Blushit:

Exit mobile version